Zelensky thotë se nga një armëpushim do të përfitonte vetëm Rusia
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të enjten se një armëpushim në luftën e Rusisë kundër Ukrainës nuk do të çonte në dialog politik dhe se nga diçka e tillë do të përfitonte vetëm Moska.
Gjatë një turneu në rajonin e Baltikut, Zelensky u ka thënë gazetarëve në kryeqytetin estonez, Talin, se çdo pauzë do të rrezikonte lejimin e Rusisë të rigrupohet dhe të rrisë furnizimin e saj me municione.
“Ne nuk do të rrezikojmë. Pauza nuk do të çonte në përfundimin e luftës, nuk do të çonte në dialog politik me Rusinë apo dikë tjetër… Dhe faleminderit Zotit e gjithë kjo është vendosur në Ukrainë dhe nuk do të ketë pauza në përfitim të Rusisë”, ka thënë ai.
Në udhëtimin e tij në Lituani, Letoni dhe Estoni, disa nga mbështetësit e tij më të vendosur në Bashkimin Evropian dhe aleancën ushtarake të NATO-s, Zelensky shpreson të sigurojë më shumë ndihmë financiare dhe ushtarake dhe të diskutojë ofertat e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.
Zelensky ka thënë se Rusia po përballej me një “deficit” municioni dhe po luftonte për të rindërtuar trupat e saj elitare.
Ai ka pretenduar se Rusia po negocionte blerjet e raketave nga Irani dhe se forcat ruse kishin marrë më shumë se një milion municione nga Koreja e Veriut.
Zelensky ka refuzuar të komentojë deklaratat e ministrit italian të Mbrojtjes se kishte ardhur koha për diplomaci në konflikt.
“Nuk kam pasur kurrë negociata të tilla me Italinë në asnjë nivel, kështu që është e vështirë për mua të komentoj”, ka thënë ai.
Rusia e ka filluar pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. /REL