Zelensky thotë se Ukraina ka zhvilluar armë me rreze të gjatë, një ditë pas një sulmi në Rusi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të enjten se vendi i tij ka zhvilluar një armë me rreze të gjatë veprimi, që goditi një objektiv 700 kilometra larg, në një referencë të dukshme ndaj sulmit të një dite më parë në një aeroport në pjesën perëndimore të Rusisë.
Zelensky ka thënë në kanalin e tij në platformën “Telegram” se arma ishte prodhuar nga Ministria e Industrive Strategjike të Ukrainës, por nuk dha detaje të tjera.
Një ditë më parë, një valë katërorëshe e sulmeve me dronë, për të cilën Moska e ka fajësuar Ukrainën, ka goditur një aeroport afër kufirit të Rusisë me Estoninë dhe Letoninë, duke dëmtuar katër avionë transportues ushtarakë “Il-76”, sipas raporteve lokale.
Aeroporti ndodhet në rajonin Pskov të Rusisë, rreth 700 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën. Në total, gjashtë rajone ruse u vunë në shënjestër.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” nuk ishte në gjendje të verifikonte nëse dronët ishin nisur nga Ukraina apo nga brenda Rusisë.
Zyrtarët e Kievit zakonisht as nuk marrin përgjegjësi, por as nuk e mohojnë përgjegjësinë për sulmet në territorin rus, megjithëse ndonjëherë ata u referohen atyre sulmeve në mënyrë indirekte. Deklarata e fundit e Zelenskyt ishte aludimi më i qartë se Ukraina qëndronte pas një sulmi në Rusi.
Sulmi i 30 gushtit e ka detyruar mbylljen e aeroportit të Pskovit, megjithëse ai është rihapur të enjten, sipas zyrtarëve rusë të transportit.
Një tjetër dron i kapur gjatë natës pranë Moskës ka rezultuar në vonesa fluturimi në disa aeroporte rreth kryeqytetit rus, kanë thënë zyrtarët rusë. Nuk raportohet për të lënduar.
Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” ka raportuar ndërkohë se shërbimet e sigurisë vranë dy persona dhe arrestuan pesë anëtarë të një grupi sabotues ukrainas në rajonin kufitar Bryansk më 30 gusht.
Dronët e dukshëm ukrainas që arrijnë thellë në Rusi dhe misionet e sabotimit ndërkufitar janë pjesë e përpjekjeve të Kievit për të shtuar presionin e brendshëm mbi Kremlinin, ushtarakisht dhe politikisht. Ndërkohë, një kundërofensivë ukrainase e nisur në qershor po përparon në disa pjesë të vijës së frontit, pretendojnë zyrtarët e Kievit.
Ukraina po synon “të gërryejë moralin rus dhe të rrisë presionin mbi komandantët e saj”, ka thënë në një vlerësim Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).
Strategjia është “t’i sjellë forcat ruse në një pikë kthese ku fuqia luftarake dhe morali mund të fillojnë të thyhen”, ka thënë IISS në analizën e publikuar mbrëmjen e 30 gushtit. /REL