Zelensky vendos sanksione ndaj presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nënshkroi një dekret të shtunën për të sanksionuar qindra individë, përfshirë presidentin sirian Bashar al-Assad , sipas një deklarate të qeverisë ukrainase.
Dekreti, i cili miratoi një propozim nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, vendos sanksione kryesisht ndaj qytetarëve dhe personave juridikë rusë, shkruan CNN.
Por lista përfshin edhe emra të tjerë të shquar si kryeministri sirian Hussein Arnous, ministri i Jashtëm sirian Faisal al-Mekdad dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri.
Sanksionet, të cilat urdhërojnë ndalimin e operacioneve tregtare dhe kufizojnë ose ndalojnë plotësisht burimet e transportit, fluturimet ose udhëtimet e tjera përmes Ukrainës, do të vendosen për 10 vjet.
Këtë javë , Assad u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në vizitën e tij të parë në Rusi që nga pushtimi i Ukrainës.
Assad, i cili ishte në gjendje të qëndronte në pushtet për shkak të mbështetjes së gjatë ushtarake të Rusisë përsëriti besnikërinë ndaj Putinit dhe mbështetjen e tij për luftën në Ukrainë.