Zelenskyt i telefonon Abazoviqi, e fton ta vizitojë Kievin

09 qershor 2022 | 15:59

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka zhvilluar të enjten një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ky i fundit, sipas njoftimit të qeverisë malazeze, i ka dërguar ftesë kryeministrit Abazoviq për të vizituar “sa më shpejt” kryeqytetin e Ukrainës, Kievin.

Sipas njoftimit, Abazoviqi ka thënë se shpreson që Ukraina të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

“Shpresojmë që ajo të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe si lidere në procesin e negociatave është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme eksperte dhe politike”, ka njoftuar qeveria malazeze përmes llogarisë zyrtare në “Twitter”.

Me deklaratë për bisedën ka dalë edhe Zelensky, i cili e ka falënderuar Malin e Zi se është duke qëndruar në krah Ukrainës në këtë kohë lufte.

“Pata një bisedë me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq rreth progresit të vendeve tona drejt rrugës për në BE. I jam mirënjohës për mbështetjen e plotë për Ukrainën në të dyja çështjet, këtë [për integrimin në BE] dhe atë sanksioneve. Ne bëmë plane për bashkëpunimin e ardhshëm bilateral dhe rajonal”, ka shkruar Zelensky në llogarinë e vet në “Twitter”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Prof. Jeton Kelmendi, PhD Se për kaç shumë vite…