Zemaj anulon vendimin e djeshëm për rregullimin e çmimit të barnave
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka anuluar vendimin e së martës me të cilin kishte shfuqizuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave.
Pas një takimi me përfaqësues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, të Shoqatës Farmaceutike të Kosovës, të Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës dhe zyrtarë të tjera nga komuniteti farmaceutik, Zemaj ka vendosur t’i kthehet udhëzimit administrativ të vjetër duke obliguar Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë që të ndërmarrë veprime për plotësim-ndryshimin e tij.
“Në këtë takim, Ministri Zemaj ka shpjeguar se anulimi i Udhëzimit Administrativ është bërë për shkak të pamundësisë së zbatimit të disa dispozitave të tij, të konstatuara nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave dhe nga Departamenti Ligjor i Ministrisë së Shëndetësisë. Pas një diskutimi të gjatë rreth kësaj çështje, Ministri Zemaj, me qëllim të gjetjes së zgjidhjes për zbatimin e këtij udhëzimi, i cili praktikisht ka mbetur i pazbatuar qe disa muaj, ka ofruar disa opsione për të mundësuar vazhdimin e procesit dhe për ta bërë të zbatuar këtë udhëzim, në interes të rregullimit të treguat farmaceutik në Kosovë.”, është thënë në njoftimin për medie të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas njoftimit, Ministria e Shëndetësisë e ka bërë të qartë se vendimet e marra janë për shkak të pamundësisë së zbatimit të udhëzimit që do të plotësohet dhe se kjo nuk ka të bëjë fare me interesa të tjera siç po provohet të interpretohet e keqpërdoret nga dikush.
“Interpretimet me ngjyrime politike pas vendimit të Ministrit për kinse krijim të mundësive për rritje të çmimit të barnave nuk kanë asnjë bazë dhe janë thjesht një tendencë për të larguar vëmendjen nga fakti që udhëzimi i lartpërmendur, në formën si ishte, ishte i pazbatuar prej muajsh, për shkak të disa dispozitave që nuk i kishin adresuar drejt disa çështje që lidhen me çmimet e produkteve dhe pajisjeve medicinave”, është thënë në njoftim.
(M.K/Epoka e re)