Zemaj: BE-ja të pozicionohet qartë për procesin e vettingut në Kosovë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) që të pozicionohet qartë për procesin e vettingut në Kosovë.
Në sesionin e dytë të punës të takimit të shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, Zemaj ka thënë se ndihma e BE-së është e domosdoshme për sistemin e drejtësisë në mënyrë që të mos ketë polarizime të mëtutjeshme.
Ai ka thënë se BE-ja duhet të pozicionohet qartë pasi që edhe “Raporti për vendin” e ka nxjerrë me nota jo të mira procesin e vettingut.
“Pozicioni i BE-së duhet të jetë i qartë. Nga ajo që është thënë në ‘Raportin e Progresit’ është vlerësuar me notë jo të mirë nisma e Qeverisë së Kosovës dhe tash duhet të jemi të vëmendshëm se çfarë duhet të bëjë Kosova që të ketë afër BE-në dhe partnerët tjerë në këtë proces. Sidomos kur polarizmi ka kaluar edhe mes Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, në një luftë argumentesh dhe kundër argumentesh publike me Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj.