Zemaj: Do të angazhohemi të mos rikthehen masat e izolimit në Kosovë
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, bashkë me drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, vizituan sot Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” të Gjakovës.
Aty i pari i shëndetësisë ka kërkuar zbatim të Manualit për mbrojtje nga përhapja e Covid-19, derisa ka thënë se do të angazhohen të mos rikthejnë masat e izolimit.
“Qëllimi i kësaj vizite është që mobilizimi të jetë në nivelin më të lartë që ne të ofrojmë kujdes të shtuar qytetarëve të Kosovës, në luftimin me betejën Covid-19. Unë motivova dhe iu dhashë përkrahje të plotë gjithë stafit të kësaj qendre. Kështu do të vazhdojmë edhe në qendrat tjera që Kosova të mos rikthehet në masën e izolimit. Por të ecim përpara dhe të shohim mundësi tjera të rikthimit të jetës në normalitet”, ka thënë ai. Krahas kësaj, ministri Zemaj tha se të gjitha rastet e dyshimta me Covid-19 trajtohen njësojë dhe se nuk ka asnjë rast të vonuar me testim.
“Nuk ka raste të vonuara, raportimet të cilat kanë ndodhur janë duke u përcjellë nga IKShP-ja. Asnjë rast, sidomos ato që prekin profesionistët shëndetësor nuk do të ketë vonime”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, drejtori i IKShP-së, Naser Ramadni tha se rritja e rasteve me Covid-19 është si pasojë e lehtësimit të masave restriktive. I njëjti theksoi se testimet e personave të dyshuar me koronaviurs nuk vonohen më shumë se dy ditë.“Të gjitha masat janë për lakmi dhe për atë arsye Gjakova ka pasur mbikëqyrje të plotë. Rastet e mbrëmshme paraqesin reflektimin e masave lehtësues dhe disa pjesëve të qytetarëve ose institucioneve që nuk i kanë përputhur rekomandimet e Institutit. Çështjen e testimeve që e përmendi ju nuk ka raste që janë vonuar më shumë se dy ditë. Edhe Gjakova që e përmendët ju, kjo është shumë normale që prej një deri në dy ditë. Pritshmëria e diagnozës mund të shkojnë deri 14 ditë”, ka shtuar ai. E nikoqiri i këtij takimi, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë, Hilmi Shala tha se kanë marrë zotimin e ministrit Zemaj se do t’i përkrahë kërkesat e tyre. “Ne ministrit ia shpalosëm nevojat dhe kërkesat tona që i kemi, ai u zotua se do të nda del përkrahje dhe të jetë vazhdimisht me ne”, tha ai.