Zemaj: Do të hapet konkursi për specializantët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë me dije se do të hapet konkurs për specializantët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Zemaj në llogarinë e vet në “Facebook” se pas regjistrimit të 1 mijë e 500 specializantëve për nevojat e Kosovës dhe Luginës së Preshevës, çështja e kandidatëve të rinj për specializime do të vazhdojë për kandidatët nga këto tri vende.
“Pas regjistrimit të 1 500 specializantëve për nevojat e Republikës së Kosovës dhe Luginës së Preshevës, çështja e kandidatëve të rinj për specializime, vazhdon për kandidatët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Kjo u diskutua në takimin e sotëm me kryetarin e Bordit Qendror për Shkollim Specialistik, dr. Labinot Shahini, andaj jemi dakorduar që të hapet konkurs për specializantët e këtyre tri shteteve”, ka shkruar Zemaj, duke shtuar se konkursi do të hapet në pajtim me Ligjin për shëndetësi.
“Konkursi hapet në pajtim me Ligjin për Shëndetësi Nr. 04/L-125, Udhëzimin Administrativ mbi shkollimin specialistik nr.05/2017, në bazë të propozimit të Bordit Qendror për Shkollim Specialistik (BQShS) dhe pas aprovimit nga Ministri i Shëndetësisë”, ka shkruar Zemaj.