Zemaj falënderon Qeverinë e Shqipërisë për vaksinimin e punëtorëve shendetësorë në Kosovë
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falënderuar Qeverinë e Shqipërisë për mundësinë që i ofruan një numri të punëtorëve shëndetësorë të Kosovës që të vaksinohen kundër Covid-19 në Kukës.
“Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës falënderojmë Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, përkatësisht kryeministrin Rama dhe ministren Manastirliu, për mundësinë që u dhanë një numri të konsideruar të profesionistëve shëndetësor nga Kosova që të vaksinohen kundër COVID-19 në Kukës”, thuhet në falënderimin e Zemajt.
“Gjithashtu, një falënderim i veçantë edhe për profesionistët shëndetësor të Shqipërisë që me etikë dhe profesinalizëm të lartë administraun dhënien e vaksinave tek kolegët e tyre kosovarë përgjatë këtyre dy ditëve, bashkë me të gjithë ata që kontribuan në realizimin e vaksinimit (Ambasadorin Hasani, FSSHK-në, etj.), që si akt, përtej çdo simbolike, tregon rëndësinë e bashkëpunimit midis dy shteteve në funksion të mbrojtjes sa më adekuate kundër COVID-19”.
Më tej në falënderimin e ministrit Zemaj thuhet se “në kohën kur institucionet e ndryshme ndërkombëtare, të cilat gjatë gjithë pandemisë shteteve të Ballkanit u kanë mbajtur ligjërata për “qasjen dhe mundësitë e barabarta” dhe kur “solidariteti” i proklamuar prej tyre për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 është tretuar nga “nacionalizmi” i vaksinave, ndihma e Shqipërisë për Kosovën, ka peshë edhe më të madhe dhe tregon se edhe të vegjëlit mund të ja dalin kur punojnë së bashku dhe nuk u mungojnë vlerat”.
“Jam i bindur se profesionistët shëndetësor nga Kosova do ta vlerësojnë gjithmonë këtë kontribut të Qeverisë së Shqipërisë”.
Zemaj ka thënë se “falënderimi më i mirë nga ana e tyre është kujdesi që ata kanë treguar dhe po tregojnë gjatë gjithë këtyre muajve të pandemisë për qindra pacientë me Covid-19 nga zonat e veriut të Shqipërisë, të cilët në Spitalin e Prizrenit, Spitalin e Gjakovës, por edhe në QKUK, gjetën një trajtim sa profesional, aq edhe vëllazëror”.
Ministrja shqiptare e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar sot se 500 mjekë dhe infermierë të Kosovës po vaksinohen në Kukës.