Zemaj: Kemi rikthyer në mobilizim të plotë kapacitetet e disa klinikave në Prishtinë

31 gusht 2020 | 14:09

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka vizituar Mjekimin Qendror Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv në SHSKUK në Prishtinë pashë nga afër trajtimin mjekësor që po iu ofrohet të prekurve nga Covid-19 dhe pacientëve që trajtohen me respiratorë”, ka thënë Zemaj.

Ai ka treguar se dr. Naim Kuqi u.d. shef i kësaj klinike prezantoi shërbimet që po kryhen në këtë klinikë, gjendjen e pacientëve, vështirësitë dhe nevojat e stafit mjekësor.

“Është lajm i mirë se ditëve të fundit ka një rënie të rasteve spitalore. Shpresojmë se ky trend të vazhdojë ditëve në vijim. Në klinikat spitalore aktualisht kemi furnizime stabile, falë blerjeve nga Ministria e Shëndetësisë, sikurse dhe kontributit të donatorëve ndërkombëtarë, të cilët po vazhdojnë të na mbështesin me donacione në këtë kohë të pandemisë”.

“Ndërsa, për të qenë të gatshëm për çdo skenar, në bashkëpunim me SHSKUK-në kemi rikthyer në mobilizim të plotë kapacitetet e disa klinikave në Prishtinë, sikurse kemi aktivizuar edhe klinikat e tjera të spitaleve rajonale. E falënderova personelin shëndetësor që po bën një punë shumë efikase dhe po ofron shërbime cilësore shëndetësore për të gjithë pa dallim”, ka deklaruar Zemaj.

(F.D / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori Donny van de Beek sezonin e ardhshëm do të…