Zemaj komenton drekën e ministrit Maqedonci: Improvizim, dështim dhe pafytyrësi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka shprehur kritika ndaj qeverisë për dështimin e saj në menaxhimin e furnizimeve për ushtrinë, duke e cilësuar situatën si një “dështim” të plotë.
Kritikat e Zemajt janë bërë edhe ndaj ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili bazuar në disa foto të publikuara në medie, ka shijuar ushqimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kazermën “Adem Jashari”.
Ai e ka quajtur “pafytyrësi” dhe “improvizim” që Maqedonci të bëjë një vizitë në kuzhinat e FSK-së dhe të reklamojë ushqimin e saj, kur në realitet, ushtarët përballen me probleme serioze në këtë drejtim.
“Shiheni vetëm reagimin e sotëm, mungesën e prezencës këtu, komunikata për shtyp deri të edhe fotografitë e improvizuara të ministrit ë Mbrojtës, gjoja që po ushqehet në atë që quhet kuzhinat e FSK-së. Ky është pafytyrësi, ky është mashtrim, ky është dështim. Dhe ky dështim duhet të reflektojë mbi kolegët tanë deputetë që kanë ardh me votën e qytetarëve”, ka thënë Zemaj.