Zemaj: Kryeministër dhe ministër “rekordzi”, ku jeni?
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka reaguar pas lajmit se në 24 orët e fundit kanë vdekur 17 qytetarë nga virusi Covid-19.
Ai ka thënë se kjo është gjendje alarmante.
“Për dhjetë ditë kemi 17.723 raste të reja me Covid-19. Po ashtu, 67 qytetarë kanë humbur jetën, në të njëjtën periudhë kohore, ndërkaq vetëm sot 17 prej tyre. Ndërsa, raste aktive kemi 20.467. Kryeministër dhe ministër ‘rekordi’, ku jeni?”, ka shkruar Zemaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se: “Krejt padrejtësisht qytetarët po i shihni si numra për vota, ndaj dhe e kemi këtë gjendje të vështirë. Mos harroni se po thyeni çdo rekord të zi të cilin vet e keni arritur. Mundohuni ta kuptoni një herë e mirë se qytetarët po i shndërroni në pacient të shumtë nga dija juaj e paktë”.
Zemaj ka thënë se qytetarët kanë nevojë për kujdes, mbikëqyrje dhe ndihmë.
“Ata, familjarët e tyre dhe të gjithë e meritojnë të jetojnë, dhe atë shëndetshëm. Po shihet se menaxhimi i pandemisë nga ju ka qenë një frazë populliste dhe as që ka ekzistuar, ndaj dhe gjendja në tërësi ka degraduar. Kryeministër dhe ministër ‘rekordzi’. Nuk e di se si mund t’iu zë gjumi! Dyshoj se mund të fleni rehat, e kundërta do të ishte tepër shqetësuese. Dorëheqja e parevokueshme e ministrit ‘rekordzi’, si pasojë e dështimit në menaxhimin e pandemisë Covid-19, është obligim, është përgjegjësi”, ka shkruar Zemaj.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Covidit.