Zemaj: Kurti e përdori ditën e pavarësisë për sulme ndaj opozitës, medieve…
Sot në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë solemne për 14-vjetorin e Pavarësisë. Derisa fjalën e kishte Kryeministri Albin Kurti, deputetët e opozitës e lëshuan sallën.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka treguar për “Express” arsyen pse partia e tij e lëshoi seancën solemne për nder të përvjetorit të Pavarësisë, derisa po fliste Kurti.
Zemaj ka thënë se fjalimi i Kurtit nuk ishte në frymën e përvjetorit të Pavarësisë.
“Fjalimi s’kishte të bënte me përvjetorin e Pavarësisë, nuk ishte në frymën e përvjetorit të Pavarësisë, si bashkim i të gjithë shqiptarëve për aspiratën shekullore për Kosovën e pavarur dhe shtet sovran. Çdo kush që sot e shfrytëzon atë foltore, do të duhej të ishte në frymën e përkujtimit dhe nderimit për te gjithë ata burra dhe gra, djem dhe vajza që sakrifikuan gjithçka që patën për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi”, ka thënë Zemaj.
Deputeti i LDK-së ka thënë se në seancën e sotme, Kurti do duhej t’i nderonte ata që e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, e jo ta përdorte ditën e pavarësisë për të sulmuar opozitën, mediat e të gjithë të tjerët.
“Një ditë nderimi për deputetët e pavarësisë, si çdo vend i civilizuar që nderon dhe kujton bijtë e saj, e jo për të shfrytëzuar ditën e pavarësisë për sulme dhe mbrojtje personale të individit, qoftë ndaj shoqërisë në përgjithësi, mediave, opozitës dhe të gjithë të tjerëve. Fatkeqësisht kjo nuk do duhej të ndodhte në ditën që i bashkon te gjithë shqiptarët kudo që janë, jo vetëm në Kosovë por anembanë ku jetojnë”, ka thënë Zemaj.