Zemaj: Kuvendi, larg përmbushjes së obligimeve të ERA-s dhe MSA-së
Zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Integrime Evropiane, Armend Zemaj, ka thënë se janë në pritje të rekomandimit pozitiv nga Bashkimi Evropian sa i përket liberalizimit të vizave.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se duke marrë për bazë praktikat e vendeve të tjera të cilat kanë kaluar këtë proces, data optimale për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës në Zonën Shengen mund të jetë fundi i këtij viti apo fillimi i vitit 2019.
“Dëshira jonë është të marrim një përgjigje pozitive. Kjo është pritje e gjatë e jona dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Me gjithë plotësimin e shumicës së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, shqetësimi ynë është se raporti për vendin i BE-së konsideron se Kosova ndodhet në përgjithësi me një progres të kufizuar. Kjo është pjesa shqetësuese dhe kërkesa jonë e vazhdueshme që Qeveria t’i ushtrojë kompetencat e veta dhe të ketë vullnet politik për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë. Shpresa mbetet te vullneti pozitiv i vendeve anëtare që ta marrim datën e shumëpritur dhe shumëkërkuar nga të gjithë ne. Duke marrë për bazë praktikat e vendeve të tjera të cilat kanë kaluar këtë proces, data optimale mund të jetë fundi i këtij viti apo fillimiviti 2019”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka mirëpritur lobimin e delegacionit të Kosovës tek vendet anëtare të BE-së për vizat por, sipas Zemajt, ata që kanë shkuar për të lobuar duhet të jenë të pranueshëm dhe me njohuri të avancuara në raportet ndërkombëtare.
“Duhet të jemi të pranishëm në skenën evropiane, sidomos në raport me vendet mike që e kanë mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në krye me ShBA-të. Por, vizitat e tilla duhet të kenë gjithmonë strategji të qartë, format dhe impakt të ndërsjellë në zhvillimin e diplomacisë parlamentare, ndërsa në rastin e tillë lobimi për vizat dhe integrimet evropiane duhet të jetë në format të individëve të pranueshëm dhe me njohuri të avancuara në raportet ndërkombëtare”, është shprehur ai.
Zemaj ka thënë se kauzat e shpikura nga opozita e kaluar, lufta e egër për pushtet, krimi i organizuar e korrupsioni dhe tani logjika se si me lehtësi kjo qeveri mban në gjirin e saj njerëz me të kaluar kriminale dhe me aktakuza janë pengesë e përmbushjes së agjendës evropiane dhe ecjes së Kosovës me hapa të shpejtë. Në këtë kontekst, ai ka vlerësuar se Kuvendi me këtë mazhorancë të brishtë është larg përmbushjes së obligimeve që dalin nga ERA dhe zbatimi i MSA-së.
“Komisioni ka shtuar angazhimin në kërkesat për raportim dhe mbikëqyrje të ministrive dhe dikastereve të tjera që kanë obligime strikte në avancimin dhe përmbushjen e obligimeve qofshin ato kontraktuale dhe nga kërkesat e BE-së, duke pasur për fokus edhe legjislacionin tonë që të jetë në harmoni me Acquis communautaire. Pjesa tjetër e punës ndërlidhet edhe me pjesën tjetër që komisioni mbulon angazhimin e Kuvendit në organizatat rajonale dhe institucioneve të BE-së në përafrimin e Kosovës me BE-në dhe institucionet e tjera ndërkombëtare”, ka theksuar Zemaj.
“Epoka e re: Z. Zemaj, këtë muaj pritet të merret vendimi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Pritjet e juaja si komision janë se ky vendim do të jetë pozitiv, pra Kosovës do t’i rekomandohet heqja e vizave?
Zemaj: Dëshira jonë është të marrim një përgjigje pozitive. Kjo është pritje e gjatë e jona dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Me gjithë plotësimin e shumicës së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, shqetësimi ynë është se raporti për vendin i BE-së konsideron se Kosova ndodhet në përgjithësi me një progres të kufizuar. Kjo është pjesa shqetësuese dhe kërkesa jonë e vazhdueshme që Qeveria t’i ushtrojë kompetencat e veta dhe të ketë vullnet politik për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë. Shpresa mbetet te vullneti pozitiv i vendeve anëtare që ta marrim datën e shumëpritur dhe shumëkërkuar nga të gjithë ne.
“Epoka e re”: Në rast se ndodh një gjë e tillë, kur qytetarët e vendit do të mund të lëvizin pa viza në Zonën Shengen?
Zemaj: Ne tani jemi në pritje të datës, por duke marrë për bazë praktikat e vendeve të tjera të cilat kanë kaluar këtë proces, eventualisht duke shpresuar në përgjigjen pozitive, data optimale mund të jetë fundi i këtij viti apo fillimi i vitit 2019.
“Epoka e re”: Para dy ditësh një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari, ka filluar lobimin për liberalizimin. A besoni se do të ketë sukses?
Zemaj: Duhet të jemi të pranishëm në skenën evropiane, sidomos në raport me vendet mike që e kanë mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në krye me ShBA-në. Por, vizitat e tilla duhet të kenë gjithmonë strategji të qartë, format dhe impakt të ndërsjellë për zhvillimin e diplomacisë parlamentare, ndërsa në rastin e tillë lobimi për vizat dhe integrimet evropiane duhet të jenë në format të individëve të pranueshëm dhe me njohuri të avancuara në raportet ndërkombëtare.
“Epoka e re”: Në përgjithësi sa ka avancuar agjenda evropiane e Kosovës dhe Kuvendi sa ka arritur t’i përmbushë obligimet në kuadër të kësaj agjende?
Zemaj: Janë dy çështje të ndara, agjenda evropiane ka pasur avancimet dhe ngecjet e saj edhe si proces, edhe si kërkesë e BE-së, me sfidat të cilat ka kaluar vendi, por edhe me keqqeverisjen e cila ka ngadalësuar këtë proces. Kauzat e shpikura nga opozita e kaluar, lufta e egër për pushtet, krimi i organizuar e korrupsioni dhe tani logjika se si me lehtësi kjo qeveri mban në gjirin e saj njerëz me të kaluar kriminale dhe me aktakuza është pengesë e përmbushjes së agjendës evropiane dhe ecjes së Kosovës me hapa të shpejtë. Sigurisht Kuvendi ka rol kyç dhe specifik, por me kompozimin e tanishëm politik dhe me këtë mazhorancë të brishtë është larg përmbushjes së obligimeve që dalin nga ERA dhe zbatimi i MSA-së.
“Epoka e re”: Cilat do të jenë prioritetet e Komisionit për Integrime, Kuvendit në përgjithësi për t’u përafruar me Bashkimin Evropian?
Zemaj: Komisioni ka shtuar angazhimin në kërkesat për raportim dhe mbikëqyrje të ministrive dhe dikastereve të tjera që kanë obligime strikte për avancimin dhe përmbushjen e obligimeve qofshin ato kontraktuale dhe nga kërkesat e BE-së, duke pasur për fokus edhe legjislacionin tonë që të jetë në harmoni me Acquis communautaire. Pjesa tjetër e punës ndërlidhet edhe me pjesën tjetër që Komisioni mbulon në angazhimin e Kuvendit në organizatat rajonale dhe institucioneve të BE-së në përafrimin e Kosovës me BE-në dhe institucionet e tjera ndërkombëtare.
Shqipe HETEMI