Zemaj: Masat e reja nuk janë bllokim i shtetit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka arsyetuar vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e veprimtarive të bizneseve dhe karantinimin e shtatë komunave për fundjavë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se masat e reja s’janë bllokim i shtetit.
Sipas tij, masat e reja janë për të mirën e të gjithëve dhe për të ruajtur vendin nga gjendja e jashtëzakonshme.
Postimi i plotë i Zemajt:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Masat e reja janë për të mirën e secilit prej nesh, janë për të mirën e shëndetit publik dhe për ta ruajtur vendin nga gjendja e jashtëzakonshme.
Masat e sotme nuk janë bllokim i shtetit, por lëvizje e kontrolluar me rigorozitet, pra, nuk nënkupton ndalim të lëvizjes së qytetarëve, aty ku është e domosdoshme.
Të vetëdijshëm për shtrirjen e madhe të virusit në vendin tonë, jemi të obliguar të ndërmarim masa të forta kundër virusit.
Krahas vendimit të Qeverisë kemi edhe vendime për masat e veçanta në shtatë komuna : Prishtina, Fushë Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Podujeva dhe Shtime.
Çdo komunë tjetër që hynë në zonë të kuqe të infeksionit, sipas numrit të banorëve (sipas hartës), do të ketë masë të njëjtë!
Obligohet Policia e Kosovës dhe Inspektoriatet të bëjë kontrolle rigoroze në zbatim të masave, vendimeve dhe Ligjit Nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.