Zemaj: Masat janë amatoreske
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës duke shtuar se të gjitha thirrjet rreth situatës pandemike kanë hasur në vesh të shurdhër.
Sipas Zemajt, ka rënë efekti i imunizimit dhe për këtë arsye është numri rekord i infeksionit në Kosovë.
Ai e sheh shqetësuese numrin e madh të fëmijëve të infektuar me virus.
“Nuk kemi parë menaxhim. Kemi thirrur Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e Kosovës që të rikthejë vëmendjen rreth situatës pandemike. Këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër dhe nuk kemi parë ndonjë menaxhim. Fatkeqësisht u pa që Qeveria ka hequr dorë nga menaxhimi i situatës me pandeminë dhe kjo është arsyeja primare pse kemi një numër të lartë të infeksionit. Këto pasoja janë evidente dhe kogja vështirë të riparueshëm në një afat të shkurtër kohor”.
“Janë dy probleme që kemi parë e që janë në çakordim me njëra tjetrën. Është vaksina kundër gripit sezonal dhe kujdesi kundër gripit dhe çështja e marrjes së dozës përforcuese, por edhe vaksinimi i moshave të reja. Këto nuk i kemi parë nga Ministria e Shëndetësisë. Një shkëputje nga zinxhiri motivues i profesionistëve dhe personeli shëndetësor. Tashmë ka rënë edhe efekti i imunizimit, i cili nuk është përcjellë në dozën përforcuese dhe për këtë arsye është numri rekord i infeksionit në Kosovë. Ne jemi në një valë enorme të rritjes së rasteve. Do të duhej të ishin shqetësuese fëmijët sepse një numër i madh i tyre janë nën moshën 9 vjeçare deri në moshën 16 vjeçare”, tha Zemaj.
Mes tjerash, Zemaj tha se masat e marra së fundi nga Qeveria janë “amatoreske” duke shtuar se institucionet përgjegjëse nuk kanë kontakt as me OBSh-në për të marrë opinionin e tyre në lidhje me këtë cështje.