Zemaj: Mediet një instrument kyç në luftën kundër Covid-19
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falënderuar mediet për ndihmën që po japin në luftë kundër Covid-19.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se medie janë një̈ instrument kyç̧ në luftën kundër Covid-19. “Gazetarët po dëshmojnë se po respektojnë rregullat profesionale dhe etike. Unë do të ofroj transparencën maksimale për punën në Ministrinë e Shëndetësisë dhe celulari im do të jetë i hapur për secilin gazetar dhe medie. Me shumë mirënjohje i falënderoj për ndihmën që po japin”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Zemajt:
Medie një instrument kyç në luftën tonë kundër Covid-19.
Media është bërë pjesë shumë e rëndësishme e arsenalit tonë në luftën kundër Covid-19. Raportimi për pandeminë po bëhet par exellence duke mos shkaktuar panik. Azhurnimet e çdoditshme me risitë dhe rekomandimet e profesionistëve të mjekësisë vetëm sa rrisin potencialin tonë në këtë përballje. Mesazhet tona për masën po përçohen përmes medies e cila është ura kryesore e komunikimit tonë me secilin qytetar, e secilin pacient të prekur nga virusi. Në këto rrethana, ne në ethe çdo mbrëmje presim njoftimin për rezultatet e testeve dhe shifrat e të infektuarve, e të shëruarve. Fatkeqësisht Covid-19 vazhdon të jetë kryelajm i përditshëm. Ndërsa, gazetarët po dëshmojnë se po respektojnë rregullat profesionale dhe etike. Unë do të ofroj transparencën maksimale për punën në Ministrinë e Shëndetësisë dhe celulari im do të jetë i hapur për secilin gazetar dhe medie.
Me shumë mirënjohje i falënderoj për ndihmën që po japin!
Gazetarëve dhe medieve t’u duartrokasim!