Zemaj: Mos të fajësohet veç BE-ja për mosliberalizimin e vizave, por edhe ata që janë në krye të shtetit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka thënë se nuk mund të fajësohet vetëm Bashkimi Evropian (BE) për mosliberalizimin e vizave për Kosovën, por edhe disa figura politike, të cilave nuk ua ka përmendur emrin, por sipas tij sot janë në krye të shtetit.
“Shprehim shqetësimet tonë për mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, çështje kjo e cila e ka edhe shkakun, apo edhe e bëjnë disa faktorë, qoftë pozitiv, qoftë negativ. Në këtë padrejtësi të madh ndaj qytetarëve që po mbahen të izoluar dhe nuk mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve të BE-së, s’mund të fajësojmë vetëm BE-në sepse është e ditur edhe këtu edhe botërisht që ne kishim një mundësi të artë në vitin 2015-16 kur Kosova ishte në një pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, por të gjithë e dinë që kjo u pamundësua nga disa figura politike që sot janë në krye të shtetit”, ka thënë Zemaj në Kuvendin e Kosovës.
Më tutje, ai ka përmendur edhe protestat e dhunshme, hedhjen e koktej molotovëve ndaj institucioneve të vendit, si shkak i mosliberalizimit të vizave.
“Edhe me disa zyrtarë tjerë në pengesën që iu bë ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, besa u shfrytëzuan edhe format tjera të quajtura mjete politike, nga gazi lotsjellës, dhuna e shprehur në kuvend, me hedhjen e gjësendeve të ndryshme edhe jashtë saj, protesta të dhunshme dhe hedhjen e koktej molotovëve ndaj institucioneve të vendit”, ka thënë Zemaj, duke shtuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.