Zemaj: Në ditët e ardhshme do ta kemi Spitalin për Covid-19 me 500 shtretër
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë me dije se në ditët në vijim do të jetë gati spitali për Covid-19, i cili do t’i ketë 500 shtretër.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ministria që ai drejton po komunikon me COVAX/OBSH për sigurimin e vaksinës së mundshme kundër Covid-19, duke shtuar se po bëhen veprimet e nevojshme në pajtim me situatën.
Ai ka treguar se Qeveria është nën presion nga bizneset si pasojë e mos votimit të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Postimi i plotë i Zemajt:
Përderisa shtetet evropiane po ballafaqohen me përhapjen e shpejtë të virusit dhe raportojnë numër të lartë të infeksioneve me Sars Covid-19, ne po përgatitemi për çdo skenar.
Ministria e Shëndetësisë, ditëve në vijim do ta bëjë gati “Spitalin për Covid-19”, me 500 shtretër në Prishtinë.
Po komunikojmë me COVAX/OBSH për sigurimin e vaksinës së mundshme kundër Covid-19, si dhe po bëjnë veprimet e nevojshme në pajtim me situatën.
Ne jemi nën presion edhe nga bizneset si pasojë e mos votimit të “Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike” e që po na vështërson përpjekjen tonë kundër virusit.
Mos miratimi i Projektligjit po rrezikon mbijetesën e shumë bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve.
Është shqetësuese dhe për keqardhje, sepse po ndodh, për shkak të tekeve të disa deputetëve.
Në parandalimin e përhapjes së virusit duhet kujdes, shumë KUJDES! Kërkohet respektim i masave parandaluese!
Vendosni maskën!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!