Zemaj nënshkruan aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës anti-Covid

07 dhjetor 2020 | 14:49

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se ka nënshkruar aplikimin për sigurimin e vaksinës anti-Covid.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nënshkrimi i këtij aplikimi nuk nënkupton që Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë tjera për të siguruar vaksina shtesë. “Synimi ynë është që t’i vaksinojmë të grupet e popullatës që janë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19, siç janë nëpunësit shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, personali i shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19…, por pa e përjashtuar asnjë kategori që duhet të vaksinohet kundër COVID-19, duke përmbushur obligimin ligjor”, ka shkruar Zemaj.

Postimi i plotë i Zemajt:

Kam nënshkruar sot aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX, derisa aplikimin për asistencë teknike lidhur me këto vaksina, e kemi bërë ditë më parë, përmes Ekipit të ekspertëve, të themeluar nga unë me qëllim të sigurimit të kësaj vaksine.

Aplikimi zyrtar në GAVI-COVAX  nuk do të thotë se Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë të tjera për të siguruar vaksina shtesë, sipas nevojës, përtej shifrës së 20% të vaksinave që do merren falas (apo rreth 360 mijë vaksina) nga COVAX, me që synimi është që të imunizohen kategoritë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19.

Synimi ynë është që t’i vaksinojmë të grupet e popullatës që janë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19, siç janë nëpunësit shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, personali i shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19…, por pa e përjashtuar asnjë kategori që duhet të vaksinohet kundër COVID-19, duke përmbushur obligimin ligjor.

Të vetëdijshëm se sigurimi i vaksinave përbën një obligim për ruajtjen e shëndetit publik të popullatës, Ministria e Shëndetësisë, qysh para disa muajve kishte vendosur kontakte me GAVI-COVAX, me qëllim që të sigurojmë vaksinën për qytetarët tanë. Për fat të mirë, Kosova është e listuar në mesin e shteteve që 20% të vaksinës kundër COVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka pritur sot në takim…