Zemaj për grevën punëtorëve teknikë të Kuvendit: Heshtje e turpshme, ky problem duhet të trajtohet
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, i ka dal në mbështetje punëtorëve teknikë të Kuvendit të Kosovës, që janë duke mbajtur grevë në kërkim të rritjes së pagave.
Zemaj ka shkruar në “Facebook” se greva e tyre është për dinjitet dhe se trajtimi i tyre është jashtë njerëzores.
Më tutje, Zemaj ka thënë se këtyre punëtorëve nuk u paguhet as trusti dhe as sigurimi shëndetësor. “Grevë për dinjitet! Është i papranueshëm fakti që tash e disa herë punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës detyrohen të mbajnë grevë, në kërkim të respektimit të minimumit të dinjitetit të tyre, sepse trajtimi i tyre është jashtë njerëzores, këtyre punëtorëve të vyer me pagë të ulët, nuk u paguhet as trusti, as sigurimi shëndetësor, por as orët shtesë në seancat e gjata me orë të tëra, mos të flasim për punët në vikend”, ka shkruar Zemaj, duke shtuar se “udhëheqja e Kuvendit duhet të trajtojë këtë problem, përndryshe është heshtje e turpshme”.