Zemaj prezanton manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka prezantuar sot Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19, i cili ka për qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga përhapja e infeksionit me Covid-19 në Kosovë.
“Manuali i përgatitur është një dokument dinamik i cili do të përditësohet varësisht nga situata epidemiologjike dhe vlerësimi i rrezikut. Manuali përmban udhëzues të hartuar nga fusha të ndryshme të cilët paraprakisht janë analizuar dhe vlerësuar nga profesionistët shëndetësorë të Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publik të Kosovës të aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë sot ministri Zemaj në një konferencë për media.
Ai tha se manuali është përgatitur në bazë të njohurive ekzistuese në lidhje me sëmundjen e koronavirusit 2019 dhe duke shfrytëzuar udhëzimet e institucioneve më të besueshme si OBSh dhe CDC.
“Ky Manual i përkohshëm mund të ndihmojë parandalimin e ekspozimit në COVID-19 dhe përmban udhëzime për në vendet e punës; për mjedise jo-mjekësore; për qendrat tregtare dhe gastronominë; për pasagjerët dhe personelin e aviacionit civil; për udhëtimet zyrtare; për grupet vulnerabile (grupet e ndjeshme); udhëzime për vendvotimet si dhe shumë udhëzime të tjera të dobishme për qytetarët dhe veprimtaritë e liruara si dhe për veprimtaritë që do të lirohen në të ardhmen. I njëjti do të shërbej si dokument mbështetës i organeve mbikëqyrëse (inspektoratet) të autorizuar nga MSh dhe IKSHPK, për të mbikëqyrur zbatimin e rekomandimeve të përfshira në këtë manual”, ka theksuar ministri Zemaj.
Ai tha se të gjitha institucionet respektive obligohen të zbatojnë masat e përcaktuara në këtë manual, varësisht nga specifikat e tyre.
“Ministria do ta ndaj këtë manual me të gjitha institucionet qendrore dhe ato lokale si dhe me publikun, me qëllim që ta përdorim të gjithë si një instrument për mbrojtje nga përhapja e mëtejme e pandemisë Covid-19. Ne besojmë që zbatimi i masave të ndërmarra nga Qeveria dhe rekomandimeve të IKSHPK-së do të në mundësojnë që të kontrollojmë shpërthimin e Covid-19 dhe në këtë aspekt, të gjitha pjesët e shoqërisë – përfshirë bizneset dhe punëdhënësit – duhet të luajnë rolet e tyre nëse duam të ndalojmë përhapjen e kësaj sëmundje”, ka thënë ai.
Ministri Zemaj ka thënë se manuali si dokument do të përditësohet në vazhdimësi dhe nga konferenca pati një porosi të qartë për qytetarët dhe bizneset.
”Ne nuk jemi në asnjë mënyrë që të kthehemi prapa me masa, por që të mos ndodh kjo, masat e MSh-së dhe rekomandimet e IKSHPK-së duhet zbatuar”, është shprehur Zemaj.
Në këtë konferencë Zemaj përcolli edhe një mesazh: “Përdorini manualin; bartni maska; mbani distancën dhe mirëmbani higjienën. Këto janë armë të thjeshta, por shpëtojnë jetë”, ka pohuar Zemaj.
Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, u ka bërë apel qytetarëve dhe subjekteve që të zbatojnë rekomandimet, sepse, siç vlerësoi ai, deri tash, ka dështuar implementimi i masave mbrojtëse nga qytetarët.
“Nëse situata shkon duke u përkeqësuar si pasojë mos përgjegjësisë për t’i zbatuar masat, do të detyrohemi të intervenojmë për t’i kthyer masat në pikën zero, si profesionistë shëndetësore nuk mund të lejojmë të vdesin njerëz nga pa përgjegjësia e të tjerëve”, tha profesor Ramadani.
Sa u përket testeve, ai tha se për momentin në Kosovë janë duke u kryer teste me metodën RT-PCR, ndërsa më tej do të vendoset bashkë me MSh-në për teste serologjike apo edhe për teste serologjike në fazat e mëtejme.
(F.D / Epoka e re)