Zemaj publikon dokumentin, pretendon se këshilltari i Çekut paguhet mbi 5 mijë euro në muaj
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Zemaj, ka publikuar dokumentin në bazë të të cilit pretendon se ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku paguan një këshilltar më shumë se 5 000 euro në muaj.
Zemaj ka thënë se përfituesi i kësaj shumë në muaj, ka ndryshuar edhe CV-në, pasi thuhet të ketë qenë pjesë e një OJQ-je, që po ashtu ka përfituar 20 mijë euro nga MKRS-ja.
“Ministri Çeku e quajti ‘gënjeshtër’ kontratën e ‘super’ ekspertit të ministrisë që po paguhet 5 560 euro në muaj. Mashtruesi i cili e ka larguar nga CV-në e tij që ishte pjesë e OJQ-së ‘EC Ma Ndryshe’ që po ashtu ka marrë 20 000 euro nga MKRS-ja. Çka duhet me ju thanë këtyre?”, ka shkruar Zemaj në “Facebook”.
Lidhur me këtë çështje është zhvilluar edhe një debat në Kuvendin e Kosovës në mes të Zemajt dhe Çekut.