Zemaj: Qeveria e Kosovës nuk ka plan për menaxhimin e pandemisë
Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar drejtuesit e Qeverisë së Kosovës se i ka gënjyer qytetarët duke i thënë se prioriteti i tyre është gjendja pandemike.
Ai ka thënë se këtë zotim ata e kanë ndryshuar menjëherë pas marrjes së pushtetit.
Në një konferencë për medie, Zemaj ia ka rikujtuar Qeverisë Kurti se 8 qershori është afati tjetër për marrëveshjen rreth vaksinës “AstraZeneca”.
“Nëse vazhdohet me këtë rritëm, Kosovës i duhet më shumë se 3 vjet për ta përmbyllur procesin e vaksinimit të popullsisë”.
“Kanë zvogëluar edhe numrin e testimeve, me qëllimin që të del edhe numri më i vogël i të infektuarve. Profesionistët shëndetësorë po anashkalohen, përkrahja financiare për ta është zvogëluar”.
“Qeveria e Kosovës nuk ka plan për menaxhimin e pandemisë dhe deri tani s’ka treguar që e ka prioritet shëndetin e qytetarëve tanë. S’ka as plan e as platformë qeverisëse”.
“Andaj për të dalë nga kjo gjendje e pashpresë, LDK kërkon që të ndërmerren veprimet: të dëshmojë me veprime konkrete që shëndeti i qytetarëve është prioriteti i tyre, të hartohet protokolli se kur dhe kush duhet të vaksinohet, të motivohet personeli shëndetësor, të shtohet komunikimi rreth rreziqeve që shkakton pandemia, të shtohen përpjekjet me shtetet mike e organizatat për sigurimin e vaksinës, të sigurohet furnizimi me barna për pacientët me COVID-19, të risë bashkëpunimin me Qeverinë e Shqipërisë dhe të mos mbajë inate”, ka thënë Zemaj.