Zemaj: Rekomandimet e bizneseve do t’i diskutojë me kryeministrin Hoti
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e odave ekonomike, me të cilët ka biseduar për gjendjen pandemike dhe të bizneseve në Kosovë, raporton “Epoka e re”.
Zemaj ka thënë se rekomandimet që ka marrë nga përfaqësuesit e bizneseve do t’i diskutojë me kryeministrin Avdullah Hoti.
“Para marrjes së masave të reja kam takuar Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve si dhe Hysen Sogojeva, kryetar i Odës Hoteliere të Kosovës. Secili nga ne ndjejmë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e shëndetit publik dhe shëndetësisë, andaj është qenësore që të gjithë se bashku, nga aty ku veprojmë t’i zbatojmë rregullat për të parandaluar përhapjen e virusit sikurse dhe udhëzimet që dalin nga Manuali për mbrojtje nga përhapja e Covid-19. Janë të arsyeshme shqetësimet e secilës kategori të shoqërisë sonë, por të gjithë së bashku duhet të mendojmë për shëndetin publik. Rekomandimet e marra gjatë takimit të sotëm, do t’i diskutojë me kryeministrin Hoti në mënyrë që masat e marra nga qeveria të prekin sa më pak ata dhe të jenë sa më të lehta për të gjithë ne”, ka thënë Zemaj.