Zemaj: Sjella e pushtetit është çnjerëzore, qeveria u mundua ta fshehë të vërtetën
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka akuzuar qeverinë se është munduar ta fshehë tollovinë që kishte ndodhur sot në sallën “1 Tetori” nga qytetarët që prisnin për vaksina.
“Sot nga papërgjegjësia totale dhe nga neglizhenca e paparashikueshme qeverisja nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka rrezikuar qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj në një konferencë për medie.
Zemaj ka akuzuar qeverinë se e ka sjellë një situatë të tillë duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e personave në pritje për t’u vaksinuar, dhe se qeveria nuk e ka prioritet shëndetin.
“Kur e kemi thënë që jemi të dëshpëruar me situatën e krijuar është dukur që po flasim në aspektin politik, por çdo ditë është treguese që këta njerëz nuk e kanë prioritet menaxhimin në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka akuzuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas tij në shumicën e kohës është marrë me situata politike, ku disa deputetë të saj, sipas tij merreshin me situatën në Lindjen e Mesme.
“Asnjë e mirë në procesin e vaksinimit nuk ka ndodhur deri më tani. Me transparencë zero”.
“Kjo mënyrë e sjelljes së pushtetit është çnjerëzore. Kjo kërkon përgjegjësi morale dhe politike. Bëjmë thirrje që qeveria urgjentisht ta marrë situatën në dorë”, është shprehur Zemaj.