Zemaj: Skandal, dje qeveria ia mësyu mbylljes së një mediumi të pavarur
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, para deputetëve të Kuvendit ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit “Klan Kosova”.
Ai ka thënë se qeveria ia ka mësyrë mbylljes së një mediumi të pavarur, që sipas tij është skandal.
“Dje qeveria ia mësyu mbylljes së një mediumi të pavarur, që është skandal në vete. Minon të arriturat e deritanishme për lirinë e medies, fjalës së lirë dhe demokracisë në vend. Kush e kishte menduar që 24 vjet pas luftës, pas çlirimit dhe një rruge jo të lehtë për avancim të demokracisë dhe fjalës së lirë, vjen një qeveri e cila synon të shndërrojë mediet në shërbim të pushtetit”, ka thënë Zemaj.
Ai ka thënë se duhet t’i mbajnë duart larg nga mediet dhe të mos kërcënojnë me mbyllje.
“Larg duart nga mediet, nuk ka nevojë të kërcënoni me mbyllje dhe të kërkoni të kontrollohen nga pushteti ose komitetlinjët e pushtetit të tyre. Mediet duhet të jenë në krye misionin e tyre që e kanë mirinformimin e qytetarëve dhe informimin e drejtë dhe profesional të qytetarëve të vendit. Ndalojeni këtë qasje, kthejuni realitetit dhe punoni për të mirën e përgjithshme të vendit, jo për të mirën e vetëm këtij pushteti”, ka thënë Zemaj.