Zemaj takohet me gastronomët, bisedohet për masat e reja
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka takuar të mërkurën përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës.
Zemaj ka bërë me dije se me gastronomët ka biseduar për masat e reja që do të merren nga qeveria në ditët e ardhshme.
Sipas tij, gastronomët janë pajtuar për zbatimin e rregullave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.
“Me përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi dhe gastronomë nga qytetet e ndryshme të Kosovës bisedova për masat e reja që do të merren nga qeveria në ditët në vijim. U dakorduam se të gjithë se bashku duhet t’i zbatojmë rregullat për të parandaluar përhapjen e virusit sikurse dhe udhëzimet që dalin nga Manuali për Mbrojtje nga Përhapja e Covid-19. Jemi të vetëdijshëm se pandemia nuk po e dëmton vetëm shëndetin tonë, por ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në ekonomi dhe po rrezikon funksionimin e bizneseve. E më këtë po e cenon edhe mbijetesën ekonomike të shumë familjeve. Sqarova se jam i gatshëm që në çdo moment të takoj përfaqësuesit e bizneseve dhe këta të shohin nga afër angazhimet tona në luftën kundër virusit”, ka thënë Zemaj pas takimit me gastronomët.
(A.M / Epoka e re)