Zemaj takohet me Jasharin, flasin për situatën me Covid-19 në Skenderaj
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pritur të martën në takim kryetarin e komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, me të cilin ka biseduar për situatën rreth pandemisë Covid-19 dhe për përpjekjet e përbashkëta për të parandaluar përhapjen e këtij virusi.
Zemaj ka thënë se pushteti lokal ka rol të rëndësishëm për tejkalimin e gjendjes së krijuar nga virusi.
“Andaj bashkë me kryetarin Jashari do të punojmë për të mirën e qytetarëve dhe ruajtjen e shëndetit publik. Si ministër i Shëndetësisë duke ofruar ndihmë logjistike për shëndetësinë e kësaj komune konfirmova se Skenderaj do të vazhdojë ta ketë përkrahjen time dhe mbështetjen në projektet e caktuara. Tashmë Skenderaj është i përfshirë në dy projekte konkrete, në konkursit e fundit për shkollim specialistik, ku sipas kërkesave, iu kemi dhënë hapësirë disa kandidatëve që do të ndjekin specializimet për Mjekësi familjare, Gjinekologji dhe Obstetrikë, Pediatri dhe do t’u shërbejnë qytetarëve të Skenderajt si dhe në konkursin nga Granti i Bankës Botërore ‘Projekti i Shëndetësisë Kosovare’ për rekrutimin e 375 profesionistëve do të angazhohen edhe profesionistë të tjerë nga kjo komunë”, ka thënë ministri Zemaj.
Ai ka shtuar se në ditët në vazhdim QKMF-së në Skenderaj do t’i dhurohet një autoambulancë dhe pajisje të tjera.
“Deri më tani nuk kanë munguar edhe ndihmat që janë dhënë nga donacionet e ndryshme që kanë ardhur në Kosovë nga shtetet mike në adresën e Ministrisë së Shëndetësisë. E falënderova kryetarin Jashari për gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm”, ka thënë Zemaj pas takimit.
(F.D / Epoka e re)