Zemaj takohet me komandantin e FSK-së, diskutojnë për situatën me Covid-19
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pritur në takim komandantin e FSK-së, Rrahman Rama, me të cilin ka biseduar
rreth ndihmës dhe gatishmërisë së FSK-së për të ndihmuar në masat për parandalimin e pandemisë Covid-19.
“Gjenerali Rama sqaroi se FSK-ja ka kapacitete mjekësore e logjistike për t’u përballur me çfarëdo situatë. Në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës është vënë në gjendje gatishmërie ‘Batalioni i Mjekësisë’, që mund të vihet plotësisht në shërbim të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Zemaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
“E falënderova gjeneral Ramën për bashkëpunimin e shkëlqyer, gatishmërinë e tij dhe FSK-së dhe ndihmën që po ofrohet në betejën kundër virusit”.
Zemaj ka konfirmuar se Ministria e Shëndetësisë do ta përkrahë FSK-në në fuqizimin e personelit shëndetësor dhe me pajisje medicinale.
“Me ushtarët tanë, vajzat e djemtë FSK-së dhe së bashku me të gjithë qytetarët do të triumfojmë në luftën me pandeminë”, ka shkruar ministri Zemaj.
(Qendresa Rama / Epoka e re)