Zemaj takohet me përfaqësuesit e institucioneve fetare, kërkon zbatimin e masave kundër Covidit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e institucioneve fetare në Kosovë, me të cilët ka biseduar për menaxhimin dhe zbatimin e masave anti-Covid.
Me këtë rast, Zemaj u ka bërë apel të gjithë qytetarëve, në veçanti besimtarëve në institucionet fetare të kenë kujdes duke respektuar masat e ndërmarra nga qeveria, për të ruajtur shëndetin e të gjithëve nga virusi Covid-19.
“Sot e nisa ditën duke i mirëpritur në zyrën time, sekretarin e Bashkësisë Islame, z. Ahmet ef. Sadriu dhe Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji, me të cilët biseduam për menaxhimin dhe zbatimin e masave kundër Covid-19 në institucionet fetare. Shpreha falënderimin tim për angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ipeshkvisë, në përkrahje të institucioneve tona për ruajtjen e shëndetit publik në përballje me pandeminë Covid-19”.
“Së bashku, vlerësuam si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin midis institucioneve shtetërore, fetare dhe qytetarëve, me qëllim që të zbatohen masat anti-Covid. Apelojmë te të gjithë qytetarët në veçanti besimtarët në institucionet fetare të kenë kujdes duke respektuar masat e ndërmarra nga qeveria, për të ruajtur shëndetin e të gjithëve nga virusi Covid-19”, ka shkruar Zemaj në llogarinë e vet në “Facebook”.