Zemaj takon Xhaferin dhe Grubin, flasin për bashkëpunimin midis Kosovës e Maqedonisë
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka zhvilluar një takim zyrtar me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi dhe më pas edhe me zëvendëskryeministrin e parë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Në të dy këto takime, ministri Zemaj ka theksuar rëndësinë e madhe të bashkëpunimit midis dy shteteve si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë shëndetësor.
“Kryeparlamentari Xhaferi dhe zv. kryeministri Grubi u kanë dhënë mbështetje të plotë hapave të bashkëpunimit të dy ministrive respektive në menaxhimin e pandemisë Covid-19, këmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit rajonal për të avansuar sistemet shëndetësore”, ka thënë Zemaj, raporton “Epoka e re”.
“Unë i informova për nismat midis dy ministrive, bashkëpunimin përmes grupeve të përbashkëta në shkëmbimin e informacioneve, trajnimeve të ekipeve profesionale dhe vlerësimin e situatës për të marrë vendime bilaterale rreth lehtësimit të qarkullimit bazuar në situatën epidemiologjike në të dy shtetet”, është shprehur ai.
Zemaj ka thënë se në këto takime i kanë trajtuar edhe çështjet e forcimit të kapaciteteve reaguese ndaj Covid-19 për periudhën e ardhshme.
Gjatë kësaj vizite, Zemaj ka vizituar edhe Ambasadën e Kosovës në Shkup ku u informuam për aktivitetet që kryen ambasada dhe stafi i saj në shërbim të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve tanë.