Zemaj thotë se janë duke i rritur kapacitet e spitaleve regjionale për Covid-19
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është duke vazhduar vizitat nëpër spitalet e Kosovës.
Ai të mërkurën ka vizituar spitalin e Mitrovicës, ku me pas ka mbajtur edhe një konferencë për medie.
Me këtë rast, ai ka thënë se janë duke i rritur kapacitetet në spitalet regjionale, duke mos pasur nevojë që pacientet të shkojnë për trajtim në Prishtinë.
“Jo vetëm që është shndërruar në prioritet lufta kundër Covid 19, por po mundohemi të rrisim kapacitetet edhe këtu, në mënyrë që pacientët e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt të mos kenë nevojë të shkojnë për trajtim në Prishtinë”, ka thënë Zemaj, duke shtuar se pas kalimit të pandemisë, fokusi do të jetë “decentralizimi i shërbimeve shëndetësore dhe spitaleve rajonale në Kosovë”.
“Me këtë, ndihmojmë banorët dhe i japim mundësi QKUK-së që të shkarkohet”, ka thënë Zemaj, i cili ka dorëzuar një autoambulancë për spitalin e Mitrovicës, e cila është donacion i BE-së.