Zemaj viziton Klinikën e Kirurgjisë Torakale
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë vizitës në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se bashkë me profesionistët shëndetësorë po angazhohet për kthimin e të gjitha shërbimeve shëndetësore për pacientët edhe në kohën e pandemisë së Covid-19. “Personeli ynë është përballur me vështirësi dhe me infeksion, është dashur të reduktojmë stafin në nivele të ndryshme, por mendojmë tani të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet, do të analizojmë situatën dhe krahas ofrimit të shërbimeve për pacientët Covid-19, do të ofrojmë edhe shërbime të tjera”, ka thënë ai.
Zemaj ka thënë se kjo klinikë ka specifikat e veta, ndërsa ai dhe Ministria e Shëndetësisë është në shërbim të fuqizimit të klinikave, stafit dhe profesionistëve shëndetësorë, me qëllim që qytetarëve t’u ofrohen shërbimet më të mira shëndetësore.
Valbon Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ka thënë se edhe pse qytetarët janë të njohur se po përballemi me pandeminë e Covid-19, si SHSKUK kanë obligim të merren me trajtimin edhe të sëmundjeve të tjera. “Pacientët që kanë nevojë për shërbime kirurgjike akute po i marrin këto shërbime meqë po funksionojnë, pa marrë parasysh ashpërsinë e pandemisë së Covid-19, shërbimet emergjente do të vazhdojnë të marrin të gjithë ata që kanë nevojë për shërbime emergjente”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Saudin Maliqi, drejtor i Klinikë së Kirurgjisë Torkale në QKUK ka dhënë sqarime në lidhje me shërbimet që kryhen në këtë klinikë. “Jemi në gatishmëri të plotë me një staf të përgatitur të ngritur me një trajnim të bërë nga jashtë vendi, jemi këtu që t’u përgjigjemi nevoja kirurgjike për pacientë. Kemi bërë një plan operativ që përkundër gjendjes Covid-19, situatës së ngarkuar të marrim masat që të bëjmë programet operatore në mënyrë që asnjë nga të sëmurët të mos mbeten keq në ditët në vazhdim”, ka thënë ai.
Klinika e Kirurgjisë Torakale në QKUK është e vetmja në Kosovë që ofron shërbime shëndetësore të niveli tretësor, duke përfshirë trajtimin e kancerit të gjirit, traumës së kraharorit dhe të gjitha sëmundjeve malinje të kraharorit duke mos përjashtuar edhe sëmundjet tjera të kraharorit.
(F.D/ Epoka e re)