Zemër, shpirt, loçkë, blla blla..
Shkruan: Arieta Mjeku-Azizi
Mos u shit, mos qesh me budallallëqe, mbaj qëndrim, mbaje bre pak veten, ke pak dinjitet, mos u shkrij pa e planifikuar shkrirjen se mund të ngrihesh.
Ligjeratat më të mirëfillta ose vinë nga përvoja me njerëz ose nga leximi i librave të fushave psikologjike dhe historike, sido që të jetë kemi konstatuar që, ai/ ajo që të thërret zemër, shpirt, loçkë vazhdimisht, s’ka send në te, o bash hiq, besoni.
Ritheksoj që respekti, bashkëndjenja, dashuria, miqësia, gatishmëria bëhen triumfplota vetëm me vepra, tjerat janë kot, më kot më s’ka.
Bëje një vepër të mirë, mos ledhato pa nevojë, mos tjerr lesh me makinë rrobaqepësi, mos ma shpreh respektin duke fërkuar ballin dhe duke gërmuar gropën pas trupit tim, mos të lutem se bari kam ngrënë në fëmijëri të hershme.
Vjen e më thotë: “Oh zemra jeme, sa e mirë je!”. E di menjëherë, bash menjëherë që pas kësaj zemre është një interes, qoftë edhe një interes krejtë i pa nevojshëm, por ja që dikush i han ato fore, por jo une e bashkë me mu edhe disa të tjerë.
Njerëzit me mirësjellje të tepruar ta lënë bukën në fyt, njerëzit me mirësjellje të tepruar vetëm duken ashtu, por besoni që janë thashethemgjinjtë më të mëdhenj.
Nuk ua them kot, ua them sepse është studim e analizë e detajuar.
Mirësjelljen e bashkëndjenjën e kemi obligim moral e shoqëror, por pa e tepruar, sepse deficiti është më i rrezikshëm për shëndet sesa suficiti.
Dashuria e respekti lindin nga bashkëndjenja për njëri tjetrin, por jo duke shpifur me mirësjellje fallse.
Mos u merakosni, askush shpirtin nuk mund të ta merr pos Zotit që na dha jetën, andaj mos u servilosni, mos e shtrini kokën, tregohuni të sjellshëm dhe injoroni njerëzit toksik nëse doni ta keni gjysmën tjetër të shëndetit.
Të lutem, mos më quaj zemër e shpirt, sepse zemra është nëna, fëmija dhe dashuria. Nëse ke diçka ma thuaj troç por me lajka e servilizëm, gropën që ma bëni do shtriheni e varroseni vet në të.
Më mirë se me qenë i vëmendshëm, s’ka!