“Zenel Hajdini” në Gjilan pranon donacion nga bashkatdhetarët nga Zvicra
Gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan, ka pranuar të hënën një donacion me mjete të konkretizimit nga bashkatdhetarët që jetojnë në Zvicër, Agon edhe Isuf Behluli, të cilët këtë hap e kanë ndërmarrë në kuadër të krijimit të kushteve më të mira të mësimdhënies në shkencat shoqërore.
Me këtë rast, drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, ka falënderuar donatorët për ketë mbështetje në kohë pandemie, ku këto mjete konkretizimi do të krijojnë kushte më të mira në mësimxënie për nxënësit e kësaj shkolle. “Tavolinat e punës, karriget, pajisje të ndryshme teknologjike, laptopë, projektorë, kompjuterë dhe mjetet e tjera të konkretizimit, janë vetëm disa nga mjetet që sot e pasurojnë gjimnazin shoqëror dhe mësimnxënien.
Ky donacion i cili është ndërmjetësuar nga sekretari Reshat Behluli, është një dëshmi e mirë se çfarë përkushtimi në punë të personelit të shkollës. Në bazë të asaj që kanë deklaruar Agoni dhe Isufi, ky është kontigjenti i parë, sepse në të ardhmen kemi premtimet që do të marrim edhe donacione të tjera të kësaj fushe”, ka thënë Gagica. Ndërsa, në emër të Gjimnazit “Zenel Hajdini”, ka folur drejtori Sami Hoxha, i cili, ka konfirmuar se me këto mjete do të ndryshojë edhe shkolla edhe cilësia në mësim.