Zeneli: Luftojmë për Vokrrin dhe popullin tonë
Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Arbër Zeneli, ka dhënë një intervistë interesante për faqen zyrtare të FIFA-s. Ai foli për vitin e jashtëzakonshëm të Kosovës, ku “Dardanët” e bënë të lumtur gjithë popullin shqiptar.
“Ka qenë një vit fantastik për ne si shtet i ri. Nuk e kemi menduar kurrë që do të jemi të pamposhtur për një vit. Pas një kohe që zgjodha Kosovën, e ndjeva se mora vendimin e duhur. Dëgjova zemrën time dhe mora atë vendim. Deri më tani s’jam penduar për asnjë moment. Prindërit e mi kanë qenë refugjatë. Pas pranimit në FIFA ishim shumë të lumtur, por edhe të dëshpëruar sepse kishim luftuar shumë”, ka thënë Zeneli.
Ai e vlerësoi të paharrueshme ndeshjen e parë zyrtare, kualifikimet e Botërorit dhe fitoren e parë. “Fitorja e parë ishte diçka fantastike, edhe sepse presidenti i Federatës ndërroi jetë pak më herët. Ai na mundësoi këtë rrugë dhe ne do t’i jemi gjithmonë falënderues atij. Ndaj Azerbajxhanit ishte një mbrëmje e madhe. Atyre u duhej fitorja, por ne bëmë punë të madhe. Jemi në ‘play-off’ të Ligës së Kombeve, por do të luftojmë edhe në kualifikime që ta sigurojmë biletën nëse mundemi. Viti i ardhshëm do të jetë shumë interesant”, ka deklaruar Zeneli.