Profesori i gazetarisë, Alban Zeneli, ka reaguar ndaj përpjekjeve të zyrtarëve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për të larguar gazetarët dhe kamerat nga një mbledhje ku diskutohej shtrenjtimi i energjisë elektrike. Ai theksoi se aty ku ka interes publik, aty janë gazetarët, duke nënvizuar se gazetarët kanë të drejtë të marrin pjesë dhe të raportojnë nga takime të tilla. Zeneli sqaroi se, sipas nenit 200 të Kodit Penal të Kosovës, interesi publik është kushti kryesor që lejon incizimin dhe publikimin e informacioneve, edhe në rastet kur ato mund të konsiderohen konfidenciale. Ai i inkurajoi gazetarët të sfidojnë çdo përpjekje për t’i penguar në ushtrimin e detyrës së tyre dhe të kërkojnë sqarime ligjore nga zyrtarët përkatës.
Postimi i plotë:
Zyrtarët e ZRrE-së përdorën sot një trik të njohur, duke tentu ta zhbejnë funksionin e medias në shoqëri, saqë thanë në një rast që gjoja është i ndaluar me ligj incizimi i një takimi zyrtar, të paralajmëruar, e të ftuar nga vet ata. E vërteta është ndryshe.
Zyrtarët që punojnë aty, duhet ta dijnë që gazetarët, kanë të drejtë EDHE të zbulojnë informacione konfidenciale, e lëre më një takim të paralajmëruar si konsultim me palët e interesit, nëse një kusht përmbushet.
Ai kusht ‘mbret’ është interesi publik, i paraparë edhe me nenin 200 të Kodit Penal të Kosovës. E kur jemi te ligjet, zyrtari i ZRrE-së nuk tregoi asnjë ligj që e ndalon këtë xhirimin e takimit. Ndërsa, në rastet e tilla, kolegët gazetarë i ftoj t’i sfidojnë zyrtarët duke i pyetur se cili ligj po shkilet nga incizimi?
Shkurt, kur një temë ka interes publik, që gjykohet si e tillë, bazuar në të mirën e përgjithshme, incizimi është i lejuar.
Kushdo që ka dyshime duhet të ankohet në organet përkatëse të mediave KPM e KMSHK, pastaj në gjykatë. Në atë rast gazetari e media duhet të arsyetoj interesin publik në gjykatë, që në rastin e fundit, është shumë e lehtë.