Zeneli shpreson se Kosova do të kualifikohet në evropian

20 prill 2020 | 14:28

Arbër Zeneli ka pritur gjatë për t’u kthyer në fushë. Gati nëntë muaj pasi këputi ligamentet e gjurit të djathtë, sulmuesi anësor i ekipit Stade de Reims u rikthye në fund të shkurtit dhe luajti pesë minutat e fundit në ndeshjen kampionale kundër Monacos (1:1).

Në fakt, këto janë pesë minutat e para të tij këtë edicioni në elitën e futbollit të Francës, derisa ende nuk e ka djersitur për asnjë minutë fanellën e përfaqësueses së Kosovës.

Zeneli u lëndua rëndë në qershorin e vitit të kaluar në ndeshjen që “dardanët” e zhvilluan kundër Malit të Zi në Podgoricë, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian që është shtyrë për vitin 2021 shkaku i koronavirusit.

Futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2018, i shpallur nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), në një intervistë për Kohën ka thënë se ka qenë gati t’i tregojë vlerat e tij qysh tash si me klubin francez ashtu edhe me Kosovën. Por, kampionati i Francës është pezulluar, ashtu si edhe në gjithë Evropën, përveç në Bjellorusi, si dhe ndeshja e plejofit e Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut në një datë të pacaktuar. Madje Zeneli beson se Kosova mund të sigurojë plasmanin në Evropian.

“Lëndimin e kam kaluar krejtësisht dhe mezi pres të rifilloj me lojtarët si në klub ashtu edhe në kombëtaren e Kosovës. Më kanë munguar shumë ndeshjet, por unë do të mundohem ta harroj të kaluarën time për t’u fokusuar për të ardhmen. Nuk do ta zhgënjej babin tim e as popullin e Kosovës. Kam shumë besim se mund ta realizojmë ëndrrën tonë që kemi dhe me Kosovën të kualifikohemi në Evropian”, ka thënë Zeneli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shqiptar i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…