Zeqir Fazliu, poet i ditëve tona
I madh e i vogël, gjilanas e më larg, e njohin Zeqir Fazliun (1943), poet e profesor. Ai jeton me vargje. Vargjet e tij janë plot poetikë të krijuara me “mëlmesa” të jetës.
E njohin Zeqën si poet i ditëve tona. Urtar, fjalëpakë, por vizionar i largët. Është reagues e rebel aty ku puqet vlera poetike, poezia. Është poet që ka shpirt të trazuar, i cili frymëzohet për aktualitetin e jetës, por edhe për dhimbjet e për dashuritë e njeriut në jetë.
Kohën e fundit ky poet gjilanas po lë gjurmë të thella në letrat tona. Vargjet e tij janë prezantuar në disa antologji të lehtësisë. Poezinë e Zeqir Fazliut, poet gjilanas, e lexon në disa gazeta, si: “Kosova sot”, “Nacional”, “Metafora” e revista e gazeta të tjera në shqip. Pse jo? Ai, në një rast, kur e kanë pyetur se si i vijnë frymëzimet për të shkruar vargje, i është përgjigjur: “Hartimin e vargjeve ia kam marrë dorën”! Lapsi i tij është i hollë dhe nuk ndalet… Dhe, ky “mjeshtër i dalluar i vargjeve poetik, para do dite botoi veprën e njëzet me radhë me titull: “Bulëzat e thanës”. Një vepër kulmore e veprimtarisë së tij poetike.
Zeqir Fazliu i gëzohet shëndetit. Ai thotë se, kur e ke shëndetin, të tjerat “sende” vijnë pas. Zeqa shkruan e s’ndalet. S’ndalet dhe, puna e tij në artin letrar kurorëzohet. Ai gjerë më tani ka marrë disa çmime të ndryshme nëpër aktivitete letrare. Në vitin 2003 dhe 2018, ai ka është nderuar me katër çmime për art letrar. Po ashtu, në vitin 2006, në Drenas, në “Sofrën Poetike”, ka marrë tri çmime, në Besianë (Podujevë) ka fituar katër çmime. Në manifestimin “Lulëkuqet e prillit”, në Kamenicë, ai ka marrë dy çmime në vitin 2012. Po ashtu, në vitin 2015, në “Vjeshtën letrare” në Komoran, është shpërblye me një çmim për poezi. Jo vetëm kaq.
Ai, si poet i dalluar i vargjeve, ka depërtuar në disa antologji me nam. Ditë më parë, ai është përfshirë edhe në Akademinë Evropiane të Arteve me poezinë “Shtatë ditë”, i cili është i treti me radhë pre krijues nga Kosova. Ky është shembulli më i mirë i vlerave letrare, ku përfaqësohet edhe në këtë eveniment të rrallë Evropian.
Edhe Migena Arllati, studiuese e letërsisë, lidhur me poezinë e Zeqir Fazliut, ajo ka shtuar se, autori (Z. F) është poet që di t’i këndojë kohërave e ngjarjeve, proceseve e ndodhive, emocioneve e dashurive” (f. 7). Tek ky poet gjilanas, si më parë,por edhe tash vërejmë traditën tonë të pasur, së cilës i këndon bukur dhe qartë. Bie fjala, poeti i këndon Gërmizë, Rugovës, Ulqinit Shëngjinit, Valbonës, Karadakut, Ibrit, Lumbardhit e mikrobotës që e freskon poezinë me drenushën, kanarinën, milingonat, sorkadhen, trumcakun, bilbilin pulëbardhën, dallëndyshen, të cilat simbolika e hijeshojnë atmosferën romantike dhe idilike të veprës së tij. /Tefik Selimi/