Zeqiri la Kosovën për Zvicrën, ‘dardanët’ e shpallin ‘non grata’
Futbollisti shqiptar me prejardhje nga Kosova, Andi Zeqiri, e ka zgjedhur për ta përfaqësuar Kombëtaren e Zvicrës.
Ky veprim i futbollistit Zeqiri nuk u ka pëlqyer aspak tifozëve të Kosovës – “dardanëve” – të cilët kanë vendosur që ta shpallin person “non grata” Zeqirin. Tifozët e kanë quajtur tradhti largimin e tij, duke thënë se këtë kalim e bëri në pabesi. “Mashtrimet nuk tolerohen. Ai i Andit nuk ishte vetëm mashtrim ndaj federatës, por edhe ndaj tifozëve dhe mbarë popullit në Kosovë. Si i tillë mori përmasa edhe më të rënda. Ofendoi shumë keq të gjithë ata që u përpoqën ta afronin te Kosova”, thuhet në reagimin e “dardanëve”.
“Tani, ky zotëri i veshur me sedër të huaj, atë zvicerane, le të na tregojë se çka e motivoi për ta bërë këtë tradhti? Çfarë i bëri Kosova që t’ia linte këtë njollë të zezë? Çka i kishim borxh ne tifozët që ai të na përgjigjej me atë sjellje perverse? Nënshkruajti mbi dokument se do t’i bashkohej kombëtarës kosovare, pastaj si skuth i pabesë në pabesi shkoi te Zvicra. Të pabesët nuk i duhen Kosovës. Nuk u janë dashur shqiptarëve. Vetëm se, ta kesh të qartë një gjë: për ‘Dardanët’ je i padëshiruar – ‘non grata’. Kënaqu në alpet zvicerane, por mos u mundo asnjëherë të identifikohesh me shqiptarët dhe Kosovën, sepse atë mundësi për t’u identifikuar si i tillë e hodhe në kosh të plehrave. Kurse për neve ti je vetëm një gërmadhë mbeturinash. Nuk e meriton asnjë respekt! Dy vjet duke sorollatur njerëz, duke i gënjyer dhe vendosur në pozita të padobishme. Prandaj për ne ‘Dardanët’ je i shpallur ‘non grata’!”, thuhet në reagimin e tifozëve të Përfaqësueses së Kosovës.
/Epoka e re/