![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/11/biden-2.jpg)
“Zëri i Amerikës”: Kosova do të ftohet në Samitin e Bidenit për Demokraci?
Kosova do të ftohet në Samitin për Demokraci që organizohet nga presidenti amerikan Joe Biden mëson “Zëri i Amerikës” nga burimet e veta në Uashington.
Sipas “Zërit të Amerikës” s’ka konfirmim zyrtar akoma dhe se Departamenti i Shtetit s’i ka kthyer përgjigje atyre lidhur me këtë çështje.
Gazeta prestigjioze “Politico” kishte publikuar listën e shteteve që presidenti Biden kishte ftuar për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci më 9 dhe 10 dhjetor, por që Kosova nuk përfshihej në të.
Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, të organizuar më 9 dhe 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Vërtetësinë e kësaj letre e ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” njëri nga nënshkruesit e saj, Agon Maliqi, kryetari i bordit të platformës jofitimprurëse, “Sbunker”.
“Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Megjithatë, duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, është thënë në letër.
Samiti për demokraci do të ketë tri tema kyçe: mbrojtjen kundër autoritarizmit, adresimin dhe luftimin e korrupsionit dhe avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut.
Pas takimit të parë dhe konsultimeve në të, Biden do të ftojë liderët botërorë sërish, që të diskutojnë rreth përparimit të bërë.