Zëri i Amerikës: Pse është i rëndësishëm procesi gjyqësor ndaj ish drejtuesve të UÇK-së?
“Gjyqi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve është i rëndësishëm për të paktën dy arsye: sepse është një lloj trashëgimie e proceseve të dështuara të gjykatës për ish-Jugosllavinë para mbylljes së saj; së dyti, akuzat u referohen krimeve të kryera ndaj personave që konsiderohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës James Gow, profesor në King’s College të Londrës.
Gjyqi ndaj ish presidentit të Kosovës, si dhe Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, filloi me 3 prill. Ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte para një gjykate ndërkombëtare me seli në Hagë.
Në aktakuzë thuhet se të paktën 440 persona, shqiptarë, serbë, romë, boshnjakë dhe malazezë, të cilët nuk morën pjesë në konflikt, u ndaluan në mënyrë të paligjshme. Të paktën 102 nga ta, sipas akuzës, nuk u mbijetuan krimeve të kryera ndaj tyre.
Pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, Thaçi, Veseli dhe Krasniqi lanë gjurmë të rëndësishme politike. Thaçi ka mbajtur postet më të larta qeveritare në Kosovë në disa raste, ndërsa Veseli dhe Krasniqi, mbajtën funksionin e kryetarit të parlamentit.
Njoftimi për aktakuzën ndaj zotit Thaçi u publikua në qershor të vitit 2020, pak para takimit në Uashington, ku ai duhej të përfaqësonte Kosovën në dialogun me Serbinë. Raundi i dialogut i nisur nga SHBA-të u shty dhe Avdullah Hoti (kryeministër në atë kohë) e zëvendësoi në negociatat e shtatorit.
Procesi ndaj zotit Thaçi dhe të tjerëve nuk është rasti i parë i gjykimit të përfaqësuesve të lartë politikë të Kosovës dhe ish komandantëve të UÇK-së. Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm në dy procese (në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë) për mungesë provash. Ato procese u përshkuan me tërheqjen e deklaratave të disa dëshmitarëve që akuzonin zotin Haradinaj.
“Në të kaluarën janë mbajtur disa gjykime dhe janë kryer hetime, por cilësia e provave nuk ishte e kënaqshme. Për më tepër, proceset u penguan nga frikësimi i dëshmitarëve, prandaj në marrëveshje me Prishtinën u krijuan Dhomat e Specializuara (Gjykata e Posaçme) për të arritur përparim në zgjidhjen e çështjes së trashëgimisë së luftës”, tha profesor Goë, ekspert në fushën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por selia e tyre, për shkak të nevojës për të mbrojtur dëshmitarët, është vendosur në Hagë. Ato trajtojnë ngjarjet nga 1 janari i viti 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000, periudhë që përfshinë një vit e gjysmë nga përfundimi i luftës në Kosovë.
“Gjyqi është momenti për të ndriçuar të vërtetën e plotë për viktimat e krimeve të rënda. Bëhet fjalë për njerëz që janë keqtrajtuar ose vrarë, jo vetëm serbë dhe romë, por edhe shqiptarë etnik. Procesi tregon se ata që kryejnë abuzime mund të mbajnë përgjegjësi. Këtë duhet ta kenë parasysh ish udhëheqësit e kohës së luftës të Serbisë dhe autoritetet që i mbrojnë ata. Edhe pse kjo ka të bëjë me gjyqin ndaj zotit Thaçi, është gjithashtu e nevojshme të merret parasysh mosndëshkimi që ekziston në Beograd”, tha për Zërin e Amerikës Elizabeth Evenson, drejtoreshë e Programit për Drejtësi Ndërkombëtare të organizatës joqeveritare Human Rights Watch.
Tensionet në Kosovë, të cilat datojnë që nga vitet e 80-ta, kulmuan në fund të viteve 90-të me një konflikt të armatosur midis forcave ushtarake dhe policore të Republikës Federale të Jugosllavisë së atëhershme dhe formacioneve të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne besojmë se ky proces, nëse kryhet në mënyrë të drejtë dhe me një qasje të duhur, mund të ndihmojë paqen e qëndrueshme. Drejtësia dhe regjistrimi i keqbërjeve mungojnë në rajon, gjë që krijon një bazë për mitet dhe keqkuptimet që mund të përdoren nga politikanët manipulues. Ky dhe gjykime të tjera mund të ndihmojnë në vendosjen e themeleve për qëndrueshmëri dhe bashkëjetesë me respekt”, tha përfaqësuesja e Human Rights Watch në një përgjigje me shkrim.
Megjithatë, Sarah Ochs, nga Fakulteti Juridik në Louisville në shtetin amerikan të Kentakit, e sheh metodën e themelimit dhe karakterin e Gjykatës së Posacme si një nga problemet për arritjen e një përfundimi të tillë.
“Është themeluar sipas ligjeve të Kosovës. Por në realitet, deri diku ishte pasojë e trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës. E vendosur në Hagë, është larg zonës ku kanë ndodhur krimet e supozuara. Gjykata menaxhohet tërësisht nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, pa asnjë kontribut nga qytetarët e Kosovës”, shpjegon profesorja Ochs, e cila shton se puna më efektive kërkon një shpërndarje më të barabartë midis aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë, asisoj që askush nuk do të kishte përparësi dhe të përjashtonte plotësisht palën tjetër.
“Megjithatë, tani është tepër vonë për një gjë të tillë. Gjykata u krijua, proceset po zhvillohen, edhe pse nuk dihet nëse institucioni i themeluar mbi parimet ekzistuese ishte më i përshtatshmi”, tha zonja Ochs.
Para fillimit të procesit gjyqësor kundër zotit Thaçi, që ishte edhe një nga negociatorët kryesorë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nënshkrues i marrëveshjes së parë të Brukselit, perëndimi ndërmori një nismë diplomatike, rezultati i pritshëm i së cilës është një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ulja e tensioneve.
Mirëpo, a mund të ndihmojë për këtë gjykimi ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së, pavarësisht nga përfundimi i procesit?
“Pa dyshim, një nga arsyet që i akuzuari Thaçi, i cili ishte president i Kosovës, u dorëzua dhe bashkëpunoi, është që të mbajë anën e Uashingtonit dhe Brukselit. Autoritetet e Prishtinës duan që proceset të vazhdojnë dhe të përfundojnë. Ata e kuptojnë se nëse nuk bashkëpunojnë, do të gjenden në një pozitë edhe më të vështirë. Në këtë kuptim, gjyqi mund të jetë i dobishëm për dialogun mes dy palëve, të cilave u duhet kohë për përparim i dukshëm”, vlerëson profesori Gow.
Sarah Ochs nuk pajtohet plotësisht me këtë qëndrim, duke përmendur si argument qëndrimin kritik që ka ende shumica e publikut në Kosovë lidhur me gjykatën dhe shtrirjen e saj të mundshme.
“Në përpjekje për të mos qenë shumë pesimiste, mendoj se ka mënyra të tjera për të bërë përparim në procesin e pajtimit mes dy vendeve. Nuk e di nëse përmbushja e drejtësisë në proceset penale është rruga e duhur. Sidomos për shkak të mungesës së legjitimitetit të asaj gjykate në Kosovë, të cilën qytetarët e saj e shohin si një lloj pale të tretë ndërkombëtare”, theksoi ajo.
Pasoja e dhimbshme e luftës për shumë familje në Kosovë është se së paku 1600 anëtarë të tyre janë ende të zhdukur. Mes tyre janë më shumë se 1 mijë e 100 shqiptarë, rreth 450 serbë, si dhe viktima të kombësisë boshnjake dhe rome.
Sipas zonjës Elizabeth Evenson nga Human Rights Ëatch, gjykimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së kujton gjithashtu rëndësinë e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.
“Ne po shohim përparim në këtë çështje në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Trajtimi i fatit të të zhdukurve duhet të jetë një element thelbësor i diskutimeve dhe marrëveshjeve të ardhshme, pasi është thelbësor për dinjitetin, respektin dhe drejtësisë. Kur bëhet fjalë për Serbinë, duhet të jemi të qartë rreth mbulimit masiv, sistematik dhe të organizuar të transferimit të trupave të qindra shqiptarëve. Ishte një veprim i bashkërenduar, prandaj autoritetet e Serbisë kanë mundur të hedhin dritë deri tash mbi atë që ka ndodhur, kush e ka urdhëruar dhe ku janë trupat e tjerë”, nënvizoi ajo.
Lufta ndërmjet UÇK-së dhe forcave policore ushtarake të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
Ndërhyrja pasoi vrasjen e 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak të Kosovës dhe negociatave të pasuksesshme ndërmjet palës shqiptare dhe serbe në Rambouillet të Francës.