Zëri i Amerikës: Tensione të larta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pas arrestimeve në Kosovë
Operacioni i arrestimeve të 19 zyrtarëve policor në Kosovë, nxiti tensione në veriun banuar me shumicë serbe por edhe ndërmjet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa autoritetet ndërkombëtare bën thirrje për respektim të parimeve të sundimit të ligjit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se operacioni është një ndërmarrje e institucioneve të Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit dhe nuk është i drejtuar kundër asnjë komuniteti.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie, posaçërisht ata në veri, serbët në veri që ta marrin këtë çështje si një ndërmarrje krejt normale për rend dhe ligj, nuk është e drejtuar kundër asnjë komuniteti, përkundrazi duhet t’u jemi mirënjohës qytetarëve për bashkëpunimin që kanë treguar me institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ai
Në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ka urdhëruar që ushtria dhe policia të jenë në gjendje gatishmërie dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtare që të ndërhyjë për të “frenuar Prishtinën”.
“Sot në mëngjes në orën 06:29, si komandant i forcave të armatosura kam urdhëruar gatishmëri të plotë ushtarake të forcave tona të armatosura. Në rast të çfarëdo prishje serioze të rendit ose rrezikimi të jetëve të serbëve në veriun e Kosovës, forcat tona të armatosura do të mbrojnë njerëzit tanë. Ajo që mund të ju siguroj është se nëse konflikti përshkallëzohet, nëse ka ende sulme ndaj serbëve, krejt çka mund të ju them është se Serbia do të fitojë”, tha ai në një fjalim në parlamentin e Serbisë.
“Është një deklaratë populiste, një deklaratë që kryesisht ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi, presidenti i Serbisë Vuçiç e di shumë mirë se nuk mund të lëvizë në drejtim të Kosovës, diçka që është e pamundur dhe e pa imagjinueshme dhe edhe vet ai është i bindur, por në çdo rast institucionet e Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës janë në gjendje gatishmërie”, tha ndërkaq presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha pas mbledhjes së qeverisë se është e papranueshme që Serbia t’i dal në mbrojtje krimit.
“Në fakt shumica e dëshmive janë nga qytetarët serbë dhe duhet të kuptohet se është rend dhe ligj e nuk ka logjikë askush prej nesh ta pengojë zbatimin e ligjit ose luftimin e krimit. Edhe Serbia edhe Kosova aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Haradinaj.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë ndërkaq se ky “është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës”. Për shkak të ndjeshmërisë politike, thuhet në një njoftim, komandanti KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa përdorimin e forcës.
“Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar. KFOR-i vazhdon të vëzhgojë situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë, nëse i kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet”, thuhet në një njoftim të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë.
Bashkimi Evropian bëri thirrje për vetëpërmbajtje, duke theksuar se është në kontakt me drejtuesit institucional të Prishtinës dhe të Beogradit. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se “operacionet policore duhet të sjellin besimin në sundimin e ligjit. Ato duhet të forcojnë përpjekjet për normalizim dhe jo t’i dobësojnë ato”, tha ajo.
Operacioni u cilësua si “provokim” nga ministria e Jashtme ruse, ndërsa ambasada e Rusisë në Beograd u kërkoi autoriteteve të Kosovës të lirojnë një qytetar rus, punonjës i Misionit të Kombeve të Bashkuara, i cili ishte ndaluar gjatë operacionit të policisë në veriun e Kosovës. Ambasada ruse kërkoi edhe siç tha, “llogaridhënie nga përgjegjësit për këtë incident”.
Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se institucionet e Kosovës vetëm e kanë zbatuar ligjin.
“Ne respektojmë imunitetin e përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, Kosova nuk bën përjashtime, respekton konventat e të gjitha të drejtat e përfaqësuesve të misioneve. Nëse njëri nga këta përfaqësues të këtyre misioneve si rasti i një shtetasi rus rrezikon sigurinë e vendit ne zbatojmë ligjin në bazë të konventave ndërkombëtare”, tha kryeministri Haradinaj.
Para se të dy punonjësit e UNMIK-ut të liroheshin në orët e pasdites, edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kërkoi lirimin e tyre ndërsa shefi i këtij misioni Tahir Zanin tha se “çdo lëndim i pjesëtarëve të UNMIK-ut do të përballet me përgjigje ligjore diplomatike e ndërkombëtare”. /VoA/