“ZËRI I KOSOVËS”, “BOTA E RE” DHE FOTOGRAFIA E JASHARAJVE

07 mars 2019 | 21:14

Lulëzim ETEMAJ

Që prej 21 vitesh, më 5, 6 dhe 7 mars Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Drenicës vizitohet, në shenjë respekti ndaj luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, babait të tij, Shaban Jashari, vëllait, Hamëz Jashari, si dhe familjes së tij 20 anëtarëshe, 10 prej të cilëve ishin fëmijë, nga mijëra shqiptarë. Ky kompleks është vendi më i vizituar në Kosovë që nga pasçlirimi. Numri i përgjithshëm i vizitorëve, përfshirë edhe vizitorët e shumtë ndërkombëtarë, tashmë llogaritet të ketë shkuar në mbi 12 milionë. Një numër të tillë vizitorësh madje vështirë që do ta ketë pasur ndonjë vend tjetër në krejt Ballkanin.
Ajo çfarë vizitorët ndeshin kur nisen në drejtim të kullës është panoja e madhe e mermerit, e vendosur në hyrje, me fotografinë e Shaban, Hamëz e Adem Jasharit. Në prapavijë të tyre qëndron emblema e UÇK-së.

Janë tepër të paktë ata persona që e dinë historikun e vërtetë të kësaj fotografie, e cila është bërë një nga fotografitë më të shpërndara në media dhe njëkohësisht më të pëlqyera nga shqiptarë të shumtë, pjesëtarë dhe mbështetës të UÇK-së, që nga koha kur është publikuar për herë të parë në dy gazetat kryesore mbështetëse të luftës së UÇK-së, “Zëri i Kosovës” dhe gazeta studentore “Bota e Re”. Këtë historik, vështirë që e dinë madje edhe vetë ciceronët e Kompleksit. Kjo mosnjohje ka të bëjë edhe me mugesën e çuditshme të këtyre dy gazetave në muzeun e këtij Kompleksi, “Qëndresa heroike e Jasharëve për liri”, të hapur më 7 mars 2017, ku, krahas eksponateve të ndryshme të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe familjës së tij, me motive nga më të ndryshmet, janë ekspozuar edhe gazetat tjera shqipe të kohës së luftës, përfshirë edhe ato që, si në fillim të daljes në skenë të UÇK-së, ashtu dhe në çastet e saj kritike, nuk janë shquar për qëndrimin mirëkuptues dhe dashamirës në raport me të dhe luftëtarët e saj.

Në këndin “Shtypi i Kohës”, të muzeut, askund nuk gjendet asnjë ekzemplar i vetëm i dy gazetave të lidhura direkt, në vijë organizative, me UÇK- në: gazetës “Zëri i Kosovës” dhe “Bota e Re”.
“Zëri i Kosovës”, ishte themeluar nga heroi Jusuf Gërvalla. Numri i parë është botuar prej tij në Nëntor të vitit 1981, ishte gazetë që botohej nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), themeluesja e UÇK-së, dhe i kishte botuar dhe shpërndarë për mediat ndërkombëtare që nga fillimi komunikatat dhe deklaratat politike të saj, kur gazetat dhe mediet tjera të Kosovës nuk e kishin një guxim të tillë ose madje bënin raporte e reportazhe denigruese për të. Gjatë luftës në Kosovë drejtohej nga kryeredaktori, ish- i burgosuri politik, preshevari Adnan Asllani, njëherit njeriu që në fund të vitit 1997 e punoi emblemën e UÇK-së.

Gazeta “Bota e Re”, ishte gazetë e Lëvizjes Studenore, Lëvizjes që më 1 Tetor 1997 e përmbysi statusquon vrastare në heshtje të Kosovës. Drejtohej nga Muhamet Mavraj, njëri prej liderëve kryesorë të Lëvizjes Studentore. “Bota e Re”, ashtu si “Zëri i Kosovës”, jo vetëm që ishte zë i fuqishëm i pushkëve të UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë çlirimtare, por përmes kontakteve të drejtpërdrejta të kryeredaktorit Mavraj me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe LPK-në, luajti rol të jashtëzakonshëm edhe në mobilizimin e rinisë studentore të Kosovës për t’iu bashkangjitur radhëve të luftëtarëve të lirisë.

 

Janë pikërisht këto dy gazeta që e kanë botuar të parat fotografinë, që pas çlirimit të Kosovës u vendos në panon e madhe të mermerit në hyrje të kullës së Jasharajve. Kjo fotografi, e punuar nga Adnan Asllani, fillimisht me vetëm Adem e Hamëz Jasharin, ushtarët e UÇK-së përpara dhe emblemën e e UÇK-së në prapavi, është punuar gjatë dhjetorit të vitit 1998. Për botimin e saj, si pllakat për nevojat e Fondit të UÇK-së “Vendlindja Thërret”, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi apo keqinterpretimi, është marrë paraprakisht edhe pëlqimi i Rifat Jasharit. Pllakati e kishte këtë moto: “Atdheu në rrezik- Vendlindja thërret”. Për qëllim e kishte përkrahjen e gjithanshme të luftës çlirimtare të UÇK-së.

Në vitin 1998, “Zëri i Kosovës” dhe “Bota e Re” kanë bërë marrëveshje për të dalë me materiale të përbashkëta. Dhe siç është praktikuar edhe me materialet tjera gjatë këtij viti, edhe me rastin e Vitit të Ri 1999, si “Zëri i Kosovës” ashtu dhe “Bota e Re”, që botohej në Prishtinë, e botuan kalendarin e përbashkët me po këtë këtë fotografi.
Në marsin e vitit 1999, Adnan Asllani kësaj fotografie ia bashkangjet edhe Shaban Jasharin, ndërsa është botuar nga “Zëri i Kosovës” në prag njëvjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në luftime të ashpra, që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake të Serbisë, rënia e të cilëve shënon ditën e Epopesë së lavdishme të UÇK-së, më 4 mars 1999.

Mospërfshirja e këtyre dy gazetave të rëndësishme në këndin “Shtypi i Kohës” të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, është një lëshim që e dëmton rënd historikun e shtypit shqip të Kosovës dhe rolin e tij në luftën çlirimtare. Si i tillë, ai duhet të korrigjohet nga menaxhmenti i muzeut, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale. “Zëri i Kosovës” dhe “Bota e Re” e meritojnë një trajtim dinjitoz.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rennes e ka përmbysur 3-1 ndaj Arsenalit, që shumicën e…