Zëri ndërmjetës i studiuesit për interpretim të veprave letrare

27 nëntor 2024 | 18:52

Berat Armagedoni

Të nderuar të pranishëm,

Shoku im, kolegu juaj, profesori i këtij universiteti, Flamur Maloku, një javë më parë më ka njoftuar se sot do të përurohet libri i tij këtu, mes jush. Më ka thënë, meqë je botues, duhet të vish dhe të flasësh shkurt. Ashtu si ai, edhe unë e di se veprave – qoftë letrare, qoftë kritike – nuk iu duhet ndihmë për t’u bërë më të mira sesa që janë. Meqë autorët heqin dorë nga veprat e tyre menjëherë pas botimit e përurimit, vlerësimin tash mund ta bëjnë lexuesit.

Ajo çfarë kam ardhur t’ju them sot është se shumë autorë të veprave letrare bëjnë përpjekje që veprat e tyre t’i shkruajnë bukur, thjesht dhe sa më lehtë të kuptueshme për lexuesit për arsye se e dinë që jo të gjithë lexuesit janë filologë. Për shembull, veprat e Markezit, të Pamukut, të Llosës secili lexues i kupton më lehtë sesa mund t’i kuptojë disa vepra të Orvellit, të Umberto Ekos, të Erza Paundit. Tipi i parë i autorëve nuk e pëlqejnë shumë kritikën për ndërmjetësim mes tyre dhe lexuesit. Por, për dallim prej këtyre tipave të autorëve, janë disa autorë të tjerë, këta të dytët, që edhe u pëlqen kritika, edhe u pëlqen ndërmjetësimi mes veprave të tyre dhe lexuesve. Pra, kanë interes të  dinë çfarë thonë kritikët për veprat e tyre. Tash, meqë secili prej katër shkrimtarëve, veprat e të cilëve kritiku dhe studiuesi Flamur Maloku i ka interpretuar në librin Zëri narrativ : katër pamje, kanë vdekur që të gjithë, nuk e dimë me saktësi nëse secili prej tyre kanë pasur dëshirë të bëjnë një urë të bashkëpunimit mes veprave të tyre dhe lexuesve. Megjithatë, e dimë që, kur kritika ka shkruar fjalë të mira për veprat e tyre, ata janë ndierë mirë. Kur ka shkruar keq, janë ndier keq dhe, ndonjëherë, edhe kanë reaguar ashpër. Studiuesi Flamur Maloku, për shkak se të katër autorët tashmë kanë vdekur, nuk do të ketë një përballje me ta, por mund të ketë një përballje me metakritikën, nëse interpretimet dhe ndërmjetësimet mes tyre dhe lexuesve i ka bërë në mënyrë korrekte.

Nga ajo që kam parë në këtë libër të Malokut, kam vënë re se ai ka hyrë në një fushë studimore që në kritikën dhe studimet shqiptare është zënë ngoje pak dhe është shkruar pak. Për t’ju bindur se është shkruar pak për zërin narrativ në veprat letrare, sidomos në veprat letrare të autorëve shqiptarë, kam parë literaturën që ka përdorur studiuesi Maloku në fund të librit, në të cilën, duke bërë një matje të librave me vlera dhe me ndikim teorik dhe praktik, ai ka marrë në shqyrtim kryesisht libra të studiuesve të huaj në gjuhën e origjinalit dhe përkthime në shqip, botime të vjetra dhe të reja. Dhe duke ndier obligim prej kërkuesi dhe studiuesi e qartësim për lexuesit, jep informacione të nevojshme për zërin narrativ, për këtë term abstrakt, të cilin Maloku e bën konkret në veprën e Pjetër Bogdanit Çeta e profetëve, në veprën e Mitrush Kutelit E madhe është gjëma e mëkatit, në veprën Dranja të Martin Camajt dhe në veprat Kronikë në gurë dhe Breznitë e Hankonatëve të Ismail Kadaresë. Këta shkrimtarë, këto vepra të tyre, Maloku i ka dashur gjithmonë dhe vazhdimisht është marrë me to. Prandaj, meqë e njoh këtë angazhim të tij për këto vepra dhe për këta shkrimtarë, sepse më shumë se dhjetë vjet kemi punuar bashkë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, disa vjet në një zyrë, them se ka bërë një punë të çmueshme dhe të nevojshme për studiuesit e letërsisë që kërkojnë llojet e zërit narrativ në këto vepra letrare që i njeh dhe, na bindi, se edhe i kupton mirë.

Në fund, meqë botuese e këtij libri është shtëpia ime botuese, ju jap edhe këtë informacion: librin e ka mbështetur për botim Ministria e Kulturës e Kosovës sepse, ashtu si ne këtu, edhe ata anëtarë të komisionit vlerësues për përzgjedhje të teksteve për përkrahje, janë bindur se ky tekst është mjaft i nevojshëm për studime letrare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Kimete Berisha 1.  Në kulmin e fushatës 'Duaje tënden',…