Zëvendësdrejtori i policisë: S’kemi informacione nëse ka persona tjerë të plagosur
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka thënë se nuk ka informacione zyrtare nëse ka të lënduar apo jo nga grupi kriminal që ka sulmuar policinë, ku një pjesëtar ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur.
Hoti ka thënë se nuk ka informacione por ajo që dihet sipas tij, është që ka ende shkëmbim zjarri.
“Zyrtarisht nuk kemi informacione ka apo nuk ka. Në momentet që po flasim ka ende shkëmbim zjarri. Këta persona të armatosur të cilët posedojnë kalibra të ndryshëm të armatimit, janë të rrethuar, qysh e tha edhe kryeministri janë të rrethuar”, ka thënë Hoti, duke shtuar se janë marrë masat e sigurisë edhe është vendosur perimetri i Policisë së Kosovës.
Këto komente Hoti i ka bërë gjatë konferencës së jashtëzakonshme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas vrasjes së policit në veri të vendit.