
Zëvendësi i Kurtit thotë se ka rritje ekonomike prej 10.7-përqindësh
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mori pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022’’, organizuar në Prishtinë nga revista prestigjioze The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Zëvendëskryeministri Bislimi ishte pjesëmarrës në panelin e diskutimit për zhvillimin dhe rritjen e Ballkanit Perëndimor.
Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi tha se ndër qëllimet e qeverisë është që Kosova të njihet dhe identifikohet nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimin, rritjen e ekonomisë dhe sukseset e arritura.
Ai foli mbi objektivat, prioritetet dhe vizionin e përqendruar në punësim, drejtësi, investime, eksport, formalizim të ekonomisë, energji, ambient, qëndrueshmëri, arsim dhe diasporë.
Në lidhje me arritjet e këtyre objektivave, zëvendëskryeministri tha se rrëfyes dhe tregues të suksesit janë rritja ekonomike prej 10.7%, rritja e të hyrave buxhetore me 30%, rritja e eksporteve me 2/3, rritja e investimeve të huaja direkte me 22% dhe krijimi i 35.000 vendeve të reja të punës, ku 10.000 prej tyre janë vende të punës të formalizuara, duke ditur dhe vështirësitë në reduktimin e ekonomisë informale, por edhe sa e rëndësishme është kjo për ambientin e biznesit.
Si burim i këtyre sukseseve dhe ajo çfarë ka kontribuar në këtë drejtim, u vlerësua kualiteti i demokracisë, stabiliteti politik, politikat e suksesshme anti-korrupsion dhe kualiteti i pakove të Ringjalljes Ekonomike, të cilat adresuan sfidat e pandemisë dhe ato të energjisë elektrike.
Ai ka theksuar se Kosova ka qenë eksportues i stabilitetit në rajon në 18 muajt e fundit dhe kjo ka qenë e reflektuar në një rrugëtim më të shpejtë edhe në përmbushjen e obligimeve në proceset e integrimit evropian.
“Vendi ynë, u rrit me 17 vende në indeksin e Transparency International, tregues ky i përkushtimit të Qeverisë edhe ndaj sundimit të ligjit”, ka thënë Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe mbi atë se çfarë i ofron Kosova investitorëve potencialë dhe cilat janë pikat e forta të Kosovës ‘vis-a-vis’ rajonit, ku përmendi disa shembuj, si politikat tatimore, krijimin e Gjykatave Tregtare, qasja e lirë në tregjet e BE-së dhe legjislacionin e harmonizuar me perspektivën evropiane.
Sipas tij, potenciali për tërheqjen e investimeve të huaja dhe sektorët premtues të Kosovës kalojnë nga teknologjia e informacionit deri te industria e prodhimit të ushqimit dhe pijeve, përpunimi i drurit, burimet natyrore, energjia dhe turizmi dimëror.