Zëvendësimi i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë

15 mars 2020 | 11:02

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar falje pse s’e ka hequr një pjesë të taksës që duhej të niste së zbatuari nga sot. Ai ka thënë se faji për këtë është i Lidhjes Demokratike të Kosovës që s’po pajtohet që taksa të hiqet gradualisht.

“Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100 % në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë! Ende nuk kam arritur ta bind partneren tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Kurti ka shkruar edhe për koronavirusin dhe ka thënë se mbrëmë në seancë nuk e kanë mbajtur distancën e duhur me njëri-tjetrin. Edhe për këtë ka kërkuar falje. “Seanca e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona. Me zëvendëskryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin e 2020-s të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qindra indianë u mblodhën të shtunën për të luftuar koronavirusin…