Zëvendëskryeministri i Kosovës, i rreptë me vendimin e Edi Ramës për rrënimin e teatrit
Pas rrënimit të godinës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në mëngjesin e sotëm, mbase i pari zyrtar i shtetit të Kosovës që ka reaguar për rrëzimin e godinës së atij teatri është zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Haki Abazi, i cili në “Facebook” ka shkruar: “Kur rrëzohet teatri për interes të oligarkëve, u shpallet luftë qytetarëve – 1000 policë do të duhej ta ruanin teatrin, jo ta bënin të mundur prishjen… edhe në kohë pandemie apo posaqërisht në kohë pandemie – ligështia nuk ka brinjë!”, ka shkruar Abazi.
Ndër të tjera, ai ka thënë se “në vendet ku rrëzohet qeveria legjitime nga individ të lidhur me korrupsionin dhe krimin; në vendet ku politika e lidhur me oligarkinë rrënon teatrin dhe shtepitë e kulturës, përveç që nuk ka zhvillim, regresi është i garantuar, nëse lejohet kjo formë e sjelljes politike”. “Mos pyetni pse tkurremi vazhdimisht dhe pse jemi mbrapa të gjithëve në procese, nëse vazhdimisht rrënojmë e prejmë degën e radhës ku qëndrojmë vet. Nuk ka demokraci pa demosin, ka vetëm diktaturë!”, ka shkruar ai.
(B. D.: ‘Epoka e re’)